Takohet me Osmanin, senatorja amerikane: Përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin llogari

Takohet me Osmanin, senatorja amerikane: Përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin llogari

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar sot senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.

Pas takimit ata kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast kanë treguar se kanë diskutuar rreth agresionit të 24 shtatorit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit.

Në fjalën e saj, senatorja Jeanne Shaheen, ka thënë se përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe se shpreson që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim.

“Kishim planifikuar një udhëtim në rajon. Deshëm të shfrytëzojmë mundësinë që pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vijmë këtu dhe t’i shprehim shqetësimet tona. E dimë se është shumë shqetësuese kjo ngjarje për Kosovën. Mendojmë se është e rëndësishme që përgjegjësit për ngjarjet e 24 shtatorit të japin llogari, shpresoj që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim”, ka thënë senatorja Shaheen.

“Kjo na tregon se për stabilitet dhe paqe afatgjate në Kosovë duhet vazhduar me mbështetjen e BE-së dhe ShBA-së në mënyrë që të gjendet një bashkëjetesë afatgjate paqësore me Serbinë”, ka shtuar ajo.

Në fund, ajo ka thënë se është këtu për të mbështetur Kosovën, si një vend me të cilin e ndanë të njëjtat vlera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa presidentja Osmani e cila ka folur para se të flasë Shaheen në këtë konferencë, ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin e 24 shtatorit dhe kriminelët e përfshirë në këtë rast të ia dorëzojë Kosovës.

“Dua të ju falënderoj për mbështetjen tuaj për të ndihmuar vendin tonë dhe për të ndërtuar më shumë siguri e stabilitet. Natyrshëm se takimi ynë u përqendrua në zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në aktin e agresionit të sponsorizuar nga Serbia. I informova për rrjedhën, dëshmitë dhe hapat që Kosova po ndërmerr për të tejkaluar sfidat. Synime të tilla të Serbisë nuk mjaftohen vetëm në Kosovë, por janë paralajmërim se Serbia ka për qëllim ta destabilizojë tërë Ballkanin Perëndimor”, ka potencuar presidentja Osmani.

“Gjëja më e rëndësishme është që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit, t’i dorëzojë terroristët si dhe të rriten garancat që të mbrohet kufiri i Kosovës me Serbinë”, ka shtuar ajo.

Në fund ajo ka theksuar se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili u vra gjatë përballjes me terroristët serbë në Banjskë të Zveçanit.

Related Articles