Pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të tarifave të rrymës elektrike, Qeveria njoftoi se do t’i ndajë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë për qytetarët dhe bizneset. Ky njoftim ka ngjallur kritika të shumta nga opozita.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se po e shqyrton mundësinë e organizimit të protestave për të kundërshtuar shtrenjtimin e paralajmëruar të energjisë elektrike.
“Kryesia e AAK-së ka vlerësuar se rritja e çmimeve në këtë kohë është e patolerueshme. Përderisa veriu i vendit nuk paguan fare për energjinë, është e padrejtë rritja enorme e çmimeve për pjesën tjetër të qytetarëve, ku goditën amvisëritë dhe bizneset.”
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë kundër propozimit për rritje të energjisë elektrike.
Besian Mustafa i LDK-së ka thënë se mungesa e profesionalizmit, përgjegjësisë dhe vullnetit për punë e Qeverisë do të rëndojë kuletën e qytetarit, duke rritur çmimin e faturës së energjisë elektrike për 42 për qind.
Sipas tij, Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverën e vitit të kaluar për rritjen e çmimeve të energjisë, si dhe hapat që duhet të merren.
“Qeveria zgjodhi populizmin e linçimin në kohë zgjedhjesh lokale për të fituar ndonjë votë. Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar me furnizimin me energji elektrike i ka kushtuar qytetarit të Kosovës 20 milionë euro të ndara për KOSTT-in, 20 milionë euro për importin e energjisë, dhe 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media.
Mustafa ka përmendur edhe refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan.
“Qeveria ka refuzuar një grant 200 milionë dollarë nga MCC-ja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për termocentralin me gaz që do të shërbente për prodhimin më të lartë të energjisë elektrike dhe çmime me të ulëta në tregun vendor”, ka thënë Mustafa.
Tutje, ai ka thënë se shtrenjtimi i energjisë dëmton edhe prodhimin vendor.
Përveç LDK e AAK, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka dalë kundër këtij propozimi.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci, tha se janë bërë realitet paralajmërimet e PDK-së ndaj Qeverisë për të ndërmarrë hapa adekuate për zgjidhjen e problemeve me kohë sa i përket energjisë elektrike.
“Paralajmërimet tona të shumta ndaj Qeverisë për të ndërmarrë hapa adekuat për zgjidhjen e problemeve me kohë, në mënyrë që edhe të ketë furnizim të sigurt me energji, edhe të mos ketë ngritje të çmimeve sot janë bërë realitet dhe masat e propozuara nuk përkojnë aspak me gjendjen ekonomike të familjeve kosovare”, ka thënë Stavileci.
Sipas tij, propozimi për rritjen e tarifave pas një periudhe të rëndë ekonomike si pasojë e pandemisë, është njëra nga goditjet më të ashpra që po u bëhet qytetarëve të Kosovës.
“Kjo rritje do të rëndojë mirëqenien e sociale qytetarëve në kohën kur edhe ashtu të gjitha çmimet e produkteve primare të konsumit dhe kjo rritje do të vazhdojë me efekte edhe më të mëdha. Për më keq kjo rritje mund të adresojë nevoja për koston e sistemit për periudha para nesh. Sot rrjeti ynë i transmisionit, KOSTT si shtylla kryesore e sigurisë së furnizimit është para kolapsit financiar”, ka thënë Stavileci.
Stavileci tha se pak më shumë se një dekade shtet, Qeveria po instalon pabarazi dhe diskriminim dhe me vetëdije të plotë po e kthen vendin te subvencionimi i tarifave dhe te reduktimet. Ai ka theksuar se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston shpenzimit të 70% të konsumatorëve të tjerë.
Reagimet pas njoftimit të Qeverisë
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e ka quajtur veprim të ngutshëm miratimin e propozimit të ZRRE-së nga Qeveria, për rritje të çmimit për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh energji.
Sipas BSPK-së, këtij propozimi është dashur t’i kushtohet kohë dhe analizë profesionale para miratimit.
Tutje, thuhet se kjo mund të sjellë përkeqësim dhe rëndim të situatës ekonomike e sociale të qytetarëve.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i drejtohet partnerit të saj social – Qeverisë se ka bërë veprim të ngutshëm me miratimin e propozimit të këtillë, të propozimit të cilit është dashur t’i kushtohet kohë dhe t’i nënshtrohet analizës profesionale para se të miratohet.
Besojmë se Qeveria është e vetëdijshme se miratimi i sotëm do të sjellë deri te përkeqësimi dhe rëndimi i mëtejshëm i situatës ekonomike e sociale të qytetarit”, thuhet në reagimin e BSPK-së.
Ndërsa kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se paralajmërimi për rritjen e çmimit të rrymës është paralajmërim për protesta.
Sipas Molliqajt çmimi i rrymës në Kosovë është më i lirë për shkak se “ne e paguajmë pjesën tjetër me shëndetin tonë”. / Gazeta Enigma.