“Remitancat vazhdojnë të jenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave në Kosovë, kjo gjë po ndihmon në rritjen ekonomike të vendit”, ka thënë zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në kohën kur bashkatdhetarët po vizitojnë në numër të lartë Kosovën, Ahmeti ka bërë të ditur për Gazetën “Enigma”, se vlera e remitancave nga diaspora për këtë vit është rritur për 85.8 milion euro.
“Ju njoftoj se vlera e remitancave për periudhën janar-prill 2021 është 333.5 milionë euro, shifër kjo e cila është më e lartë për 85.8 milionë euro se në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar, ku vlera e remitancave ishte 247.6 milionë euro”, ka theksuar ai.
Mërgata është infuzion për qytetarët e Kosovës
“Disa po vijnë, por një pjesë e madhe po kthehen, e ata i’a lënë pjesën më të madhe të kursimeve Kosovës. E ngritën ekonominë për më pak se 1 muaj, i dhanë infuzion shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, e për këtë nuk mund t’ua marrë meritat askush”, kështu të paktën është shprehur, qytetari, Labinot Xhelili, i cili jeton dhe vepron në Kosovë me biznesin e tij afarist.
Ndërsa, Merita Bilalli njëra nga mërgimtaret e shumta që jetojnë në Gjermani ka folur për “Gazetën Enigma” se si ajo së bashku me burrin e saj arrijnë të ndihmojnë dy familjet e tyre në Kosovë nëpërmjet një page që e dërgojnë pothuajse çdo muaj.
“Po, unë e bëj këtë për familjen time, edhe burri im gjithashtu ndihmon vëllain që e ka në Kosovë. Ndoshta ata nuk kanë nevojë për parat tona, por ne e ndjejmë obligim dhe me kënaqësinë më të madhe e bëjmë këtë”, ka thënë ajo.
Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe qytetarja Leonora Ramadani, e cila jeton në Zvicër së bashku me burrin dhe djalin e saj.
Sipas saj, padyshim e gjithë ekonomia e Kosovës varet nga diaspora.
“Ekonominë e vendin tonë po e mbajmë ne. E dimë që edhe në Kosovë punohet mjaftë, por ka mungesë të shumë gjërave elementare, për këtë arsye si unë e shumë persona tjerë që jetojnë në mërgim, u sjellim para e gjëra tjera familjarëve tonë”. ka thënë ajo për Gazetën “Enigma”.
Për dallim që disa qytetarë kanë thënë se diaspora është faktor kyç për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, ka edhe të tillë që nuk pajtohen plotësisht me këtë gjë.
Ali Krasniqi, qytetar nga Kosova i cili jeton në Prishtinë, për “Enigmën”, ka thënë se nuk është e vërtet që të gjithë varemi prej mërgimtarëve, meqë sipas tij ka shumë familje në Kosovë që vet i arrijnë të hyrat buxhetore. Ai gjithashtu nuk ka mohuar faktin se diaspora ndihmon në rritjen e buxhetit të shtetit por se sipas tij, ai personalisht nuk ka ndihmë prej askujt edhe pse ka një numër të konsiderushem të familjarëve jashtë Kosovës.
“Mua personalisht, nuk më hyn në xhep asnjë euro direkt prej mërgimtarëve. Vet punoj, vet i kryej të gjitha obligimet. Si kryefamiljar me i pas prit këta të jashtit me më dhënë para mua, unë kisha vdekur sot nga uria, por sidoqoftë, mirë që paret po i hargjojnë në vendin e tyre”, ka thënë ai.
Ndryshe, të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se shuma e remitancave të dërguara ka shënuar rritje.
Vizita rekorde nga diaspora në Kosovë
Të dhënat zyrtare të institucioneve kosovare, tregojnë se numri i personave që ka hyrë në Kosovë përmes transportit rrugor dhe ajror gjatë muajit korrik dhe gusht ka shënuar rritje.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës theksohet se derisa në muajin qershor numri i personave që kanë hyrë përmes transportit rrugorë ka qenë 1.858,533, në muajin korrik është rritur për 1.032,318.
Ndërsa, vetëm brenda 15 ditëve të muajit gusht në Kosovë kanë hyrë 1.409,502 persona.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” numri i udhëtarëve në muajin korrik ishte 340.446. Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2019, ka pasur rritje për 60.433 udhëtarë.
Në 15 ditë të muajit gusht janë realizuar 738 fluturime me 91.634 udhëtarë./Gazeta Enigma/