Nuk kalon pothuajse asnjë ditë në Kosovë kur nuk ju bëhet thirrje qytetarëve, për të ndihmuar financiarisht ndonjë person të sëmurë rëndë, i cili kërkon shërim jashtë vendit, shkruan Gazeta Enigma.
Rastet vetëm vijnë e shtohen, kurse mungesa e zhvillimit në aspektin e Shëndetësisë në Kosovë, detyron shumë familje që të trajtohen jashtë vendit, duke e pasur parasysh që një gjë e tillë ka një kosto të pa përballueshme për shumicën e qytetarëve të cilët përballen me sëmundje të rënda.
Ndërkohë, Kosova e ka tashmë programin për trajtim jashtë vendit, i cili është në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, por që i njëjti duket se nuk po funksionon siç duhet.
Çka është ky fond?
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë është një institucion financiar që operon nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Kosovës dhe ka për qëllim sigurimin e mbrojtjes shëndetësore për qytetarët e Kosovës, duke ofruar mbulimin e shpenzimeve për shërbime mjekësore dhe trajtime shëndetësore.
Ky fond është pjesë e sistemit të siguruar shëndetësor dhe është krijuar për të mbështetur pacientët që kanë nevojë për shërbime që nuk ofrohen në mënyrë të mjaftueshme nga spitalet dhe qendrat shëndetësore publike të vendit.
Ky fond supozohet të mbulojë një gamë shërbimesh, përfshirë trajtime dhe operacione që mund të kërkojnë ekspertizë të specializuar jashtë Kosovës, si dhe shërbime të tjera të domosdoshme që nuk mund të realizohen në spitalet dhe klinikat publike.
Ai është i dedikuar për të gjithë qytetarët që janë të siguruar shëndetësorë në Kosovë dhe që kanë nevojë për trajtim mjekësor të specializuar ose jashtë vendit, sipas kritereve të përcaktuara nga autoritetet kompetente.
Por në praktikë, ky fond ka ndeshur në kritika dhe sfida, përfshirë mungesën e transparencës dhe vonesat në miratimin e fondeve për trajtime, që shpesh çon në kërkesa për ndihmë financiare nga qytetarët dhe shoqëria civile.
Një foshnje 7 muajshe ka lindur me një vrimë në zemër, trajtim ky i cili bëhet vetëm jashtë Kosovës – po kërkon ndihmë urgjente nga qytetarët.
Gazetarja Saranda Ramaj, ka reaguar duke theksuar se një rast të tillë si ky i Maearës 7 muajshe ligjërisht duhet ta mbulojë ky Fond, por, familja e vogëlushës aktualisht është duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për të mbledhur shumën që u nevojitet që t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e mundshme.
Pas reagimeve të shumta mediatike për funksionimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ky i fundit ka dalë me një sqarim.
Ata kanë theksuar se fondi mbulon shpenzimet vetëm kur shërbimet e kërkuara shëndetësore nuk ofrohen në Kosovë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ofron përkrahje financiare për shërbime shëndetësore që nuk ofrohen në institucionet shëndetësore publike për të gjithë Shtetasit e Republikës së Kosovës dhe rezidentëve të përcaktuar sipas ligjeve në fuqi”, thuhej në njoftimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Po keqpërdoren pacientët në nevojë”
Njohësi i çështjeve shëndetësore, Bujar Vitija, reagoi lidhur me njoftimin e FSSH-së.
Në një përgjigje për gazetën Enigma, Vitija potencoi se reagimi i FSSH-së nuk ka zgjidhur ndonjë problem të pacientëve por ka ‘ngjallur’ një konflikt mes pacientëve dhe njerëzve të cilët vullnetarisht i ndihmojnë.
“Ky njoftim nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk e zgjidh problemin e pacientëve që kërkojnë ndihmë për trajtim jashtë vendit. Ky njoftim vetëm sa e komplikon edhe më shumë situatën e tyre sepse po i fut pacientët në konflikt me njerëzit e vullnetit të mirë”, u shpreh Vitija për Enigmën.
Tutje, Vitija theksoi se disa spitale në Turqi nuk i pranojnë pacientët nga Kosova vetëm me Fletëzotimin që lëshohet nga FSSH, sepse u kërkohen para në dorë.
“Problemi në këtë rast është se disa nga spitalet në Turqi nuk po i pranojnë pacientët vetëm me Fletëzotimin e lëshuar nga FSSH, por po kërkojnë pagesë kesh. Në vendet e Bashkimit Evropian shumica e spitaleve nuk e njohin fare Fletëzotimin, dhe për këtë arsye qytetarët detyrohen të kërkojnë ndihmë financiare”, vazhdoi Vitija për Enigmën.
Ndër të tjera, Vitija theksoi se ‘dikush është duke i keqpërdorur më së tepërmi pacientët nga Kosova’. “
Po e mirëkuptoj qëllimin e FSSH-së, dhe gjithashtu do ta përkrahja plotësisht nëse paraprakisht ky institucion sigurohet që pacientët do të marrin trajtim në institucionet që i zgjedhin vet ata Turqi ose BE, me Fletëzotim, pa pasur nevojë të paguajnë avans. FSSH duhet të angazhohet që t’i kontraktojë shërbimet dhe t’i dërgojë pacientët direkt pa pasur nevojë për procedura shtesë. Deri atëherë, është e vërtetë kjo çështje thënë nga FSSH, se ka shumë mundësi që po bëhen pagesa të dyfishta. Në këto raste dikush është duke i keqpërdorur më së shumti pacientët nga Kosova”, përfundoi Vitija. K
urse, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj e cila ka qenë edhe nënkryetare në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka folur për Enigmën lidhur me funksionin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Qeveria në fund të mandatit me procedura të përshpejtuara e ka miratuar dhe tash ne nuk po e dimë se çfarë është duke u bërë, a po implementohet, sepse nuk duhet me bërë ligje dhe mos me i implementuar, thekson ajo.
“E keqja më e madhe e vendit është se nuk kemi sigurime shëndetësore, edhe shumica e të rinjve dhe qytetarëve pa dallim moshe, njëra prej arsyeve që po e braktisin Kosovën, është që vendi nuk ka sigurime shëndetësore, ku është mjaft logjike sepse shëndeti është mbi të gjitha.”
Deputetja Kadriaj shtoi se me paratë e ndara për Fond, mund të investohet në infrastrukturën shëndetësore në Kosovë, që pacientët të mos kenë nevojë për trajtim jashtë vendit.
“Ne shpesh e kemi thënë që me këto para pra që është Fondi, që janë ndarë për pacientët për trajtim jashtëvendit, është dashur të investohen në profesionalizimin e ekipeve shëndetësore, më i stimuluar, më mbajtur trajnime e në forma të ndryshme, pra, gjithë ai Fond që po shpenzohet të investohet në infrastrukturën shëndetësore, por, një gjë e tillë nuk po ndodh”, përfundoi Kadriaj për Enigmën.
Për të kërkuar informata më të hollësishme rreth fondit dhe aplikimet e qytetarëve, Gazeta Enigma ka kërkuar sqarime nga Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë referuar që përgjigjet të kërkohen tek Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të Kosovës.
Këta të fundit, sqarimet e kërkuara nuk i kanë ofruar deri në publikimin e artikullit. /Gazeta Enigma /