Në kohën kur tensionet ne veriun e Kosovës po përshkallëzohet me vendosjen e barrikadave të reja në Mitrovicë, qytetarë dhe aktivistë u mblodhën sot përpara Ambasadës së Serbisë në Tiranë për të protestuar.
Me flamuj kombëtar dhe pankarta në mbështetje të Kosovës, protestuesit janë mbledhur para ambasadës së Serbisë duke thirrur “Kosovë-Shqipëri ne jemi një”.
Protesta është organizuar nga Këshilli Organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile.
Kjo protestë vjen pak ditë pas një proteste të ngjashme para ambasadës serbe në Tiranë në një kohë që tensionet në veri të Kosovës janë shtuar, teksa prej më shumë se dy javësh serbët kanë ngritur barrikada në këtë zonë duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve.