Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë ku ish dhëndri ka tentuar të vrasë ish vjehrrën e tij dhe nipin e saj të mitur.
51-vjeçari H. B., së bashku me bashkëpunëtorin e tij, të dy banues në Kosovë, dhunuan fizikisht 70 vjeçaren dhe nipin e saj 14 vjeçar, i lanë pa ndjenja dhe i vendosën qëllimisht zjarrin banesës.
Ngjarja ndodhi në fshatin Llakatund të Vlorës. Fatmirësisht e moshuara dhe nipi i saj kanë mundur të dalin nga banesa që ishte duke u djegur dhe aktualisht ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Autori kryesor, ish dhëndri, 51 vjeçari H. B., është shpallur në kërkim.
Bashkëpunëtori i dhëndrit, 42 vjeçari G. B., u kap në Morinë në tentativë për t’u larguar drejt Kosovës ndërsa shoqëruesi i tij 32 vjeçari D. K., u vu gjithashtu në pranga pasi dyshohet se ka patur dijeni për krimin dhe nuk e kallëzoi atë, raporton TCH.
Si pasojë e zjarrit është djegur banesa e 70 vjeçares dhe është dëmtuar pjesërisht një banesë tjetër e pabanuar, aty pranë.
Sipas policisë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të dhëndrit H. B. dhe G. B., si dhe “Moskalllëzimi i krimit”, në ngarkim të D. K.