Në manifestimin qendror për festën e Fitër Bajramit, të mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka përcjellë mesazhe paqeje dhe solidariteti, duke u ndalur edhe te rastet e vrasjeve që kanë tronditur vendin ditëve të fundit.
Tërnava shprehu shqetësimin e tij për humbjen e jetëve të katër qytetarëve brenda pak ditësh, duke theksuar se dhuna dhe vrasjet janë të papranueshme në çdo formë.
“Humbën jetën katër qytetarë të vendit tonë, një shqetësim dhe brengë e madhe për të gjithë ne. Në Islam, vrasja është një akt i ndaluar, i shëmtuar dhe një nga gjynahet më të mëdha. Kush vret një njeri pa të drejtë, është sikurse të kishte vrarë gjithë njerëzimin. Ne apelojmë për respektimin e jetës së çdo individi. Të gjithë duhet të jemi unikë për të treguar paqe dhe solidarizim”, tha myftiu Tërnava.
Në ditët e fundit, Kosova është tronditur nga disa vrasje që kanë ngritur alarmin për pasigurinë e qytetarëve.
Në këtë kontekst, mesazhi i myftiut vjen si thirrje për reflektim dhe për ndaljen e akteve të dhunës që po rëndojnë shoqërinë.
Ai kërkoi nga qytetarët dhe institucionet që të punojnë së bashku për një ambient më të sigurt dhe për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron paqja dhe mirëkuptimi.