Themelorja mbron gjyqtarin që vendosi për Pantiqin, kërkon veprime ndaj atyre që e linçuan

Themelorja mbron gjyqtarin që vendosi për Pantiqin, kërkon veprime ndaj atyre që e linçuan

Dejan Pantiqi u çua në shtëpi. Shprehen dyshime se ‘liria’ e Pantiqit u dha në këmbim të lirisë së lëvizjes në veri, që e kërkonte Qeveria e Kosovës. Por, Kurti, më pas LV, shpallën fajtorë prokurorin dhe gjykatësin për lirimin në arrest shtëpiak të Pantiqit.

Sot, Gjykata ka dhënë një koment për ato që u thanë rreth vendimit të saj për ish-policin.

Njëzetekatër orëshi i fundit u shënua me situatë më të qetë në veri, por u trajtuan pasojat e zhvillimeve atje.  Ngjarjet që rrodhën, nisur nga ndryshimi i masës ndaj Dejan Pantiqit, ish-polic i akuzuar për organizimin e një sulmi terrorist në veri krijuan, disa dyshime dhe akuza.

Kryeministri Kurti në reagimin e parë të tij për dërgimin e Pantiqit në arrest shtëpiak, ua ka lënë fajin prokurorit dhe gjyqtarit të rastit.

“Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak… jam kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës paraprak që e ka marrë këtë vendim”, tha Kurti.

Kurtin e ndoqi menjëherë Lëvizja Vetëvendosje. “Ky aktlirim është akttradhëti”, u tha nga ky subjekt.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Mentor Bajraktari, që një ditë më parë ishte zgjedhur nënkryetar i Gjykatës dhe Prokurori special, Afrim Shefiu, u shpallën tradhtarë. U desh pak kohë që nëpër kryeqytet të vendosen grafite, me emrat e prokurorit dhe gjykatësit.

Nga Gjykata Themelore i kanë thënë të enjten Gazetës Express se vendimi për arrest shtëpiak të Pantiqit është marrë “në bazë të ligjit”.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë për ndryshimin e masës së sigurisë për të pandehurin D.P ka vendosur në bazë të ligjit, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

 Të pyetur rreth lidhjeve që ia kanë bërë këtij vendimi të gjykatës me një marrëveshje politike mes Kosovës dhe Serbisë, nga Gjykata kanë thënë se nuk i komentojnë “reagimet politike dhe tendecioze”.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës dje ka bërë reagim publik, të cilin ne e mbështesim fuqishëm si gjykatë, andaj rezervohemi si gjykatë ti komentojmë reagimet politike dhe tendencioze, gjithashtu kërkojmë nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për trajtimin e këtij rasti, ndaj atyre që kërcënuan dhe linçuan gjyqtarin e kësaj çështje”.

Gjykata Themelore në Prishtinë do që t’i garantoj qytetarët se vendimet e saj do t’i ndërmarrë “bazuar në ligj dhe kushtetutë”, ndërsa u ka kërkuar të gjithëve të përmbahen nga komentimi i tyre.

Në reagimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të cilit i referohet Gjykata sot, u shpreh shqetësim që Kryeministri Kurti pyeti se kush ishte gjykatësi e prokurori që vendosi, përkatësisht kërkoi, t’i ndërrohet masa e paraburgimit Pantiqit.

“Sa i përket pyetjes së Kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon Kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”, thuhej në reagimin e KGJK-së.

Gazeta Express ka provuar t’i kontaktojë sot prokurorin Shefkiu dhe Gjyqtarin Bajraktari, por të dy kanë qenë të paqasshëm.

KMDLNj ëshë deklaruar sot për kërcënimet dhe shantazhet që, sipas tyre, po u bëhen atyre. Reagimet ndaj prokurorit dhe gjykatësit, i ka konsideruar fushatë linçuese.

“Grafitet kërcënuese dhe shantazhuese e rënduan edhe më shumë sigurinë e prokurorit dhe të gjyqtarit të procedurës paraprake duke e intensifikuar fushatën e linçimit që paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut aq më parë që është edhe vepër penale”, u tha në reagim.

Gazetari Vehbi Kajtazi ka shkruar se “Shteti duhet t’i marrë në mbrojtje prokurorin special, Afrim Shefkiu dhe gjyqtarin, Mentor Bajraktari. Gjithashtu, duhet të arrestohen te gjithë ata qe i kërcënuan, linçuan dhe bënë grafite duke i shpallur tradhtarë”

“Marrëveshje” për lirimin e Pantiqit në këmbim të barrikadave

Ndërkaq opozita nisi të dyshojë se lirimi në arrest shtëpiak i Pantiqit ka prapa një marrëveshje politike mes Kosovës dhe Serbisë. Lirimi i Pantiqit ishte një nga kushtet që i deklaronin përfaqësuesit e Listës Serbe, për heqjen e barrikadave.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha sot në një konferencë të thirrur për media se Kurti ka bërë marrëveshje të fshehtë me presidentin serb, Aleksandër Vuciqin.

“Është evidente që kryeministri Albin Kurti ka pasur marrëveshje të fshehtë me presidentit e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për heqjen e barrikadave, duke u pajtuar me lirimin e të akuzuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq. Por përveç tij kanë liruar edhe të tjerë siç ishte rasti i Nikola Nedeljkoviq”, ka theksuar Krasniqi.

Ndërsa, Kurti në një ndejë të mbyllur me gazetarë, ka thënë se “vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën”, duke rikujtuar paralajmërimin e tij të së dielës se barrikadat do të hiqen brenda ditësh.

“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën,” citohet të ketë thënë Kurti në një njoftim të zyrës së tij.

Dje, menjëherë pas ndryshimit të masës ndaj Pantiqit, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq tha se ka folur në telefon me Vuciqin, dhe ai i ka thënë se “është mirë të hiqen barrikadat”. Dhe, sot, ato nisën t’i largonin persona kryesisht të maskuar.

Ambasadori serb në Uashtington, Marko Gjuriq, për televizionin publik serb ka folur për një “marrëveshje” për heqjen e barrikadave. Ai e ka vlerësuar këtë si “fitore të madhe”.

Gjuriq thotë se marrëveshje u materializua nëpërmjet dy deklaratave të publikuara të mërkurën, një që ishte e përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së dhe një deklaratë tjetër të lëshuar nga KFOR-i.

Dejan Pantiq është arrestuar më 10 dhjetor nën dyshimet se kreu sulm, që u cilësua si terrorist, ndaj zyrtarëve zgjedhorë dhe policorë të Kosovës më 6 dhjetor.

Prej ditës kur ai u arrestua, rrugët e veriut të Kosovës nisën të bllokohen me barrikada, që qëndruar për 18 ditë. Raportohet se kanë mbetur edhe pak sosh, pasi që nga mëngjesi persona të panjohur, që supozohet që i kishin vendosur barrikadat, nisën t’i largonin.

Related Articles