Një përleshje fizike ka ndodhur këtë të hënë në rrugën “Leonard Palucaj” në Klinë, ku dy persona mbetën të plagosur, raporton Gazeta “Enigma”.
Lajmin për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar ëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka njoftuar se dy persona kanë pësuar lëndime trupore, dhe se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.
“Policia është njoftuar rreth orës 10:40 për një mosmarrëveshje mes tre personave. Përleshja vazhdoi jashtë dhe dy individë pësuan lëndime trupore, dyshohet nga përdorimi i një mjeti të ftohtë ose të hekurt. Ata po marrin trajtim në spital rajonal dhe sipas mjekëve gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën”, tha Gashi.
Tutje ai ka njoftuar gjithashtu se një nga personat e përfshirë është në arrati, ndërsa hetimet për ngjarjen janë duke u kryer nga organet kompetente.
