2 mijë 287 aplikues ende nuk janë subvencionuar për blerjen e librave, shkruan Gazeta “Enigma”. Ndërkohë procesi që ka përzgjedhur Ministria e Arsimit për blerjen e librave po shkakton tollovi në librari, e shpeshherë edhe mungesë të librave të caktuar.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook tha se aplikimi i prindërve për subvencionim, proceduralisht sivjet ka qenë shumë më i lehtë, sepse sipas saj prindërit i kanë pasur llogaritë aktive.
Tutje ajo ka shtuar se për libra kanë aplikuar 203 mijë e 407 prindër ose kujdestarë ligjor, ku 200 e 1 mijë e 120 aplikues janë subvencionuar, teksa pjesa tjetër ende po presin.
Mirëpo jo të gjithë kanë mendojnë njëjtë, pasi që ditëve të fundit të gushtit dhe këto ditët e para të shtatorit nëpër librari është parë se ka pasur shumë tollovi.
“Më shumë se gjysmë ore kemi pritur tek dera e librarisë për tu futur brenda”, thotë një qytetar, nga Gjilani.
Siç thotë ai kjo tollovi është shkaktuar pasi që Qeveria këtë vendim e ka marrë shumë vonë.
“Qeveria dhe Ministria e Arsimit me marrjen e këtij vendimi pak ditë para fillimit të mësimit ka shkaktuar tollovi gjithandej. Gati se në secilën librari nuk mund të hysh pa pritur 30 minuta deri në një orë dhe kjo është e tepërt, tjetra grumbullimi i prindërve pran librarive ka shkaktuar edhe kolona pasi që janë zënë një pjesë e rrugëve me vetura, plus shto këtu edhe rastet me COVID-19 dhe ne duhet të qëndrojmë të presim në turma”, tha qytetari B.A. për Gazetën “Enigma”.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, vlerëson se projekti i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit për subvencionimin me librave është projekt “i dështuar”.
“Ky projekt i Qeverisë ka qenë i dështuar, këtë e kemi parë edhe prej vitit të ri shkollor që ka filluar ku prindërit janë ankuar, po ashtu edhe arsimtarët për kolona të gjata para librarive, mos furnizim i duhur i librarive”, tha ajo.
Tutje Kadrijaj ka shtuar se “kemi menduar se kjo Qeveri do të reflekton këtë vit shkollor dhe do t’i kthehet praktikave që është e dëshmuar se kanë qenë praktika më të mira, që janë furnizuar shkollat me tekste mësimore, ku do të thotë se ato tekste ju kanë shpërnda nxënësve në ditë e parë të shkollës”.
“Nxënësit në ditën e parë të shkollës janë furnizuar me libra dhe me të gjitha elementet që janë paguar nga Qeveria, ndërsa kjo Qeveri gabimisht edhe vitin e kaluar edhe këtë vit e ka projektuar këtë proces dhe po i shohim pasojat”, deklaroi ajo.
“Çfarë na keni bo me këto libra, s’di çka ju “koft”, ka shkruar gazetarja Ardiana Thaçi.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka theksuar se mungesa e librave për lëndët e caktuara e përkeqëson situatën.
“Së pari, keni marrë tekstet nga disa shtëpi botuese dhe tollovia në to është e tmerrshme. Përveç kësaj, mungesa e librave për lëndët e caktuara e përkeqëson situatën.Aman, vetëm kthejeni sistemin e vjetër të shpërndarjes së librave”, ka shkruar Thaçi.
Kujtojmë se prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit ka vendosur t’i subvencionojë me 80 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, njësojë si vitin e kaluar.
Ndryshe nga viti i kaluar, Ministria e Arsimit ka vendosur t’i subvencionojë edhe prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, me nga 110 euro. /Gazeta Enigma/