Trabzonsporit i ka mjaftuar vetëm një barazim 2:2 ndaj Antalyasporit për t’u shpallur kampion i Superligës turke pas 38 vjetësh.
Kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund, Trabzonspori ka 77 pikë në vendin e parë, ndjekur nga Fenerbahçe me 68 pikë. Falë ndeshjeve direkte më të mira, Trabzonspori e ka siguruar edhe matematikisht titullin e shtatë në histori.
Trabzonspori e kishte fituar gjashtë herë brenda 10 vjetëve titullin e Superligës, por një i tillë i mungonte që nga sezoni 1983/84.
Tifozët e Trabzonsporit pretendojnë edhe për një titull të fituar në sezonin 2010/11, ku Fenerbahçe falë gol-diferencës më të mirë arriti të shpallej kampion, mirëpo më vonë u dënua nga UEFA për kurdisje. Në vitin 2021, megjithatë, prokurorët turk ia konfirmuan titullin Fenerit.
Trabzonspori është klubi i katërt me më së shumti tituj të ligës në Turqi, pas Galatasarayt (22), Fenerbahçes (19) e Beshiktashit (16).