Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar bashkëshorten dhe vajzën e pronarit të diskotekës “Puls”, Dejan Jovanov Deko.
Atyre gjithashtu u janë konfiskuar pesë telefona.
Policia ka kryer bastisje edhe në një tjetër objekt në pronësi të pronarit të diskotekës “Puls” dhe ka hyrë për kontroll në zyrat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut në Koçan, ndërsa pronari i diskotekës “Puls” ndodhet në një spital të Lituanisë, njofton Euronews, transmeton Gazeta Enigma.
Ai është njëri prej katër pacientëve që po kurohen në këtë vend. ndërkaq, numri total i të dyshuarve për zjarrin që shkaktoi tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan ka arritur në 34 persona dhe është hapur një procedurë hetimore ndaj 27 individëve dhe tre personave juridikë, pas hetimeve të para që përfshinë shtatë nëpunës policor nga SPB Shtip dhe Koçan.
Aktualisht, janë ngritur akuza për vepra penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe për “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”.
Hetimi për rastin në Koçan kryhet nga 11 prokurorë nga Shkupi, Koçani dhe Shtipi.
Kujtojmë se ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, mbi 650 persona, kryesisht të rinj, ishin duke u argëtuar në diskotekën Puls në Koçan, ku gjatë performancës së grupit muzikor të njohur DNK, papritmas shpërtheu një zjarr i madh, gjë që bëri të humbin jetën 59 persona dhe mbi 190 persona të tjerë u lënduan, madje disa prej tyre ende janë në gjendje të rëndë shëndetësore./Gazeta Enigma