Trofetë që i munguan me Dritën, Islami synon t’i fitojë me Gjilanin

Trofetë që i munguan me Dritën, Islami synon t’i fitojë me Gjilanin

Përparim Islami doli i fundit nga fusha me bari sintetik, ku skuadra e futbollit Gjilani kreu stërvitjen e parë për stinorin pranveror të Superligës së Kosovës.


Rrugës për në zhveshtore, Islami takoi disa lojtarë të Dritës. U ndal për t’i përshëndetur lojtarët me të cilët ndante zhveshtoren muaj më parë.

Islami në qershor të vitit të kaluar iu bashkua Gjilanit. Transferimi i tij ishte i pari nga Drita për te Gjilani pas 15 vjetësh.

Para mbrojtësit të krahut të djathtë, siç tregojnë te Gjilani, lëvizje nga Drita te Gjilani kishte bërë Ylber Kastrati, në vitin 2008. Ndërkohë, lëvizjet e lojtarëve në drejtimin e kundërt, nga Gjilani për te Drita, ishin më të shpeshta.


Islami, 29-vjeçar, fliste i qetë për lëvizjen jotipike nga rivalët e qytetit. Gjashtë muaj më parë kishte reagime për transferimin e tij, por lëvizja u pranua shpejt.

“Ky është futbolli. Te Drita kam kaluar një vit të mrekullueshëm. E falënderoj, por pasi nuk gjetëm gjuhën e përbashkët që të vazhdojmë së bashku, vendosa t’i bashkohem Gjilanit. Te Gjilani ndihem si në shtëpinë time. Jam qe një vit e gjysmë në qytetin e Gjilanit dhe jam mësuar me gjithçka që më rrethon”, ka thënë Islami.

Ai insiston se vendimi për t’iu bashkuar Gjilanit nuk ka qenë i vështirë.

“Vendimi nuk ka qenë i vështirë, pasi edhe këtu kam gjetur lojtarë që në të kaluarën kemi luajtur bashkë. E kam pasur edhe trajnerin i cili më ka përkrahur. Me trajnerin kemi punuar së bashku edhe në disa klube të tjera. Dhe ky është futbolli. Shkon në Dritë, nga Drita në Gjilan. Prandaj edhe është interesant ky sport”, është shprehur këmbëshpejti.

Islami me Gjilanin ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Pret që me skuadrën të fitoj trofe. Në edicionin aktual ka kontribuar me katër asistime në 15 paraqitje.

“Uroj të mos kem ndonjë lëndim dhe të vazhdojmë drejt realizimit të synimeve, që janë trofetë me Gjilanin”, ka theksuar Islami, që me Dritën nuk fitoi trofe.

Kur flet për sukseset, Islami thotë se më i veçanti është titulli i kampionit me Feronikelin. Titullin e fitoi edhe me Trepçën ’89. Kupën e Kosovës e ka fituar me Prishtinën dhe Feronikelin.

“Momenti më i veçantë në karrierën time është titulli i kampionit me Feronikelin, pasi ka qenë ndeshje vendimtare me Prishtinën”, ka thënë Islami.

Islami e ka nisu karrierën te të rinjtë e Prishtinës. Debutoi si senior te klubi Hysi, që ka shuar veprimtarinë.

“Kam debutuar në KF Hysi, trajner atëbotë ka qenë Hysni Maxhuni të cilin e falënderoj shumë për besimin e madh që ka pasur për mua. Nuk do t’i harroj kurrë ato momente”, ka deklaruar Islami.

Ai u është mirënjohës qytetarëve të Gjilanit për mikpritje. Thotë se ndjehet si në shtëpi.

“Jam i kënaqur me karrierën. Ky nuk është maksimumi që dëshiroj ta arrij. Mendoj të arrij nivele edhe më të larta. Uroj të mos kem lëndime dhe të vazhdoj tutje”, ka thënë Islami.

Mbrojtësi i djathtë ishte pranë largimit nga Gjilani, që vetëm ditë më parë tejkaloi problemet financiare. Pas tejkalimit të telasheve, Gjilani u riorganizua dhe nisi përgatitjet për stinorin pranveror. Gjilani synim e ka daljen në Evropë./

Related Articles