Më 15 shkurt, pritet të mbahet konferenca përgatitore për gjykim e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Lidhur me këtë konferencë, është bërë publike agjenda e përpiluar nga trupi gjykues, e cila pritet të ndiqet gjatë konferencës, ku ndër pyetjet që trupi gjykues ka parashtruar për prokurorinë është se pse besojnë se duhen mbi 700 orë dëshmi të drejtpërdrejta në pyetje në këtë çështje, kur kjo shifër tejkalon kohën e caktuar për prokurorinë në çështjet e mëparshme komplekse pranë gjykatave të ndryshme penale ndërkombëtare dhe gjykatave speciale?
Sipas agjendës së përcaktuar nga trupi gjykues, ata do të kërkojnë përgjigje specifike për çështjet e artikuluara në paragrafët 1-5 të Rregullës 118 të Rregullores.
Konkretisht do të kërkojnë nga prokuroria të përgjigjen në pyetjet : a) Sa dëshmitarë gjithsej ka ndërmend të thërrasë ZPS? b) A ka ndërmend ZPS të zvogëlojë apo ngushtojë numrin e akuzave në aktakuzë? c) A parashikon ZPS paraqitjen e provave në lidhje me çdo vend krimi të listuar në aktakuzë?
Tutje, do të kërkojnë përgjigje edhe për pyetjet: Sa vende krimi do të referohen në çështjen e Prokurorit të Specializuar dhe sa prej tyre zbatohen drejtpërdrejt për akuzat? Sa kohë mendon ZPS se do t’i duhet të paraqesë provat në çështjen e tij? A ka qenë i suksesshëm Prokurori i Specializuar në krijimin e një plani apo metode përmes së cilës ai do të jetë në gjendje të shkurtojë kohëzgjatjen e parashikuar të marrjes në pyetje të drejtpërdrejtë të dëshmitarëve? Cilët faktorë beson ZPS që duhet të marrë parasysh trupi gjykues kur ushtron diskrecionin e tij për të përcaktuar kohën në dispozicion të Prokurorit të Specializuar për të paraqitur provat e tij?
Ata do kërkojnë përgjigje edhe se pse Prokurori i Specializuar beson se duhen mbi 700 orë dëshmi të drejtpërdrejta në pyetje në këtë çështje, kur kjo shifër tejkalon kohën e caktuar për prokurorinë në çështjet e mëparshme komplekse pranë gjykatave të ndryshme penale ndërkombëtare dhe gjykatave speciale?
Po ashtu do të kërkojnë të dinë se cila është data e synuar e Prokurorit të Specializuar për mbylljen e çështjes së saj në dritën e orarit të seancave, detyrimin e Panelit për të siguruar që mbrojtjes t’i ofrohet një mundësi e drejtë për të marrë në pyetje dëshmitarët dhe koha e nevojshme në sallën e gjyqit për të trajtuar çështjet ndihmëse ?