Kancelareja gjermane, Angela Merkel zhvilloi një turne lamtumire në Ballkanin Perëndimor ku me 14 shtator u takua me liderët e Ballkanit Perëndimor të cilët u mbledhën në Tiranë, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Kam planifikuar të vij në secilin shtet, por ishte e pamundshme dhe u desh 3-4 ditë. Në situatën aktuale ishte shumë, andaj faleminderit që na mblodhët këtu”, ishin fjalët e para nga Merkel në Tirana.
Ajo fillimisht u taku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ku temë e bisedës pritej të ishin çështje të politikës ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, por edhe çështje që lidhen me përafrimin me BE-në.
Edhe takimi me kryeministrin e Kosovës u zhvillua në kuadër të vizitës në Shqipëri.
Vizitën e saj Qeveria e Kosovës në Ballkanin Perëndimor e pa si mbështetje për bashkëpunimin rajonal brenda agjendës evropiane
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu kishte konfirmuar takimin bilateral ndërmjet, kryeministrit Kurti dhe kancelares Merkel, ndërsa tha se aty do të diskutohej për bashkëpunimin rajonal, Procesin e Berlinit dhe temat në interes të dy vendeve.
“Në takimin që pritet të mbahen gjatë javës së ardhshme në Tiranë, mes kryeministrit Kurti dhe kancelares Merkel pritet të bisedohet për bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit dhe për çështje dhe tema bilaterale në interes të dy vendeve tona”, kishte deklaruar Kryeziu.
Çka u diskutua në takimin Kurti – Merkel
Kryeministri Albin Kurti pas takimit me kancelaren Angela Merkel, deklaroi se sa i përket raporteve Kosovë-Serbi, trysnia duhet të bëhet mbi Serbinë.
Ai tha se është detyrë e çdo shqiptari që të tregojë se mbi kë duhet të bëhet presioni për raportet mes dy vendeve.
Kurti konfirmoi gjithashtu se Kosova është dukë bërë përgatitje për padinë për gjenocid ndaj Serbisë të cilën e kishte premtuar.
Përveç kësaj teme, Kurti kishte folur në takim edhe për ‘Ballkanin e Hapur’.
Ai në një konferencë për media pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel në Tiranë, e tha qartë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur.
Ndërsa, kur është pyetur rreth komenteve të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që tha se Kosova po bën konspiracione për nismën Ballkani i Hapur, Kurti tha se nuk e di se për çfarë po flet Rama.
Ky i fundit pas takimit me Merkel nuk hezitoi të thumbonte kryeministrin Kurti duke i thënë se bën teori konspiracioni për “Ballkanin e Hapur”.
“Sa i përket 4 lirive, duam të ecim më shpejt. Një nga pengesat ka qenë se Serbia nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve se ka pasur paragjykimin se lëvizja e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ishte e garantuar. Sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për “Open Balkan”, kishte deklaruar Rama.
LEXO EDHE:
Mediat kosovare nuk u lejuan të bëjnë pyetje në konferencën Rama-Merkel
Gazetarët nga Kosova nuk u lejuan që të bëjnë pyetje në konferencën e përbashkët të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Gazetar i Klan Kosovës, Enis Reica përmes një postimi në Facebook, njoftoi se sipas tij për 40 minuta kanë kërkuar fjalën për t’i bërë pyetje kancelares Merkel, por që se një gjë e tillë nuk iu ishte lejuar.
Tutje, ai ka treguar se pyetjet e tyre kanë qenë rreth Kosovës, marrëveshjes përfundimtare, dialogut, liberalizimit të vizave dhe Open Ballkan.
“Në këtë video është dora ime, dhe e dy kolegëve të tjerë nga mediat kosovare. E kërkuam fjalën që nga fillimi i konferencës mes Kancelares Angela Merkel e Edi Rama. Ishte e kot, as pas 40 minutave të konferencës nuk na u dha fjala”, kishte shkruar Reçica.
Vizita e Merkelit në Serbi, Vuçiqi e pret me lule kancelaren gjermane
Gjatë vizitës në Beograd në një konferencë për media Merkel deklaroi se Kosova nuk do të zhduket nga agjenda dhe se disa çështje zgjidhen në fund procesit.
“Disa çështje do të zgjidhen në fund të procesit. Jo të gjitha vendet e BE -së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Unë jam për një qasje pragmatike. Kjo çështje nuk do të zhduket, duhet të zgjidhet. Por unë jam për një rrugë ku të gjitha çështjet e tjera zgjidhen së pari. Shpresoj se do të kemi përparim të ri në procesin rreth Kosovës”, u shpreh kancelarja gjermane duke iu referuar njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Ndërkohë, vetë Vuçiq e kishte të qartë se nuk ka anëtarësim në BE pa u zgjidhur çështja e Kosovës.
“Nëse pyetja është se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të hyjmë në BE pa e zgjidhur çështjen e Kosovës, atëherë absolutisht është e qartë kjo. I thashë kancelares se Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut dhe se Serbia beson se një konflikt i ngrirë nuk është një zgjidhje e mirë dhe se ne do të jemi gjithmonë të hapur për një zgjidhje kompromisi”, kishte thënë Vuçiq.
Ndryshe, 67-vjeçarja Merkel është në pushtet që nga viti 2005 dhe është kancelarja e tretë më jetëgjatë në historinë gjermane, pas Otto von Bismarkut në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe Helmut Kohlit në shekullin e njëzetë. Ajo ka qenë e vetmja grua kancelare në vend.
Për 16 vjet zonja Merkel ka qenë në qendër të politikës gjermane – dhe në një masë të madhe edhe të politikës së Bashkimit Evropian./Gazeta Enigma/.