Ulet numri i të infektuarëve me virusin HMPV në Kinë

Ulet numri i të infektuarëve me virusin HMPV në Kinë

Virusi i ri ‘kinez’ i njohur si Metapneumovirus HMPV, i cili mori vëmendjen e gjithë botës duke shkaktuar panik te qytetarët, duket se ka filluar të shënoj gradualisht rënie.

Shkalla e infektimeve me këtë virus të ngjashëm me gripin ka rënë.

Të paktën kështu kanë njoftuar zyrtarët shëndetësorë të dielën.

HMPV-ja, e cila i përket të njëjtës familje si virusi sincicial respirator, shkakton simptoma të ngjashme me gripin ose ftohjen, përfshirë ethe, kollë dhe kongjestion nazal.

Simptomat shpesh zhduken vetë, megjithëse ato mund të shkaktojnë infeksione të traktit të poshtëm respirator te fëmijët, tek të moshuarit dhe te ata me imunitet të kompromentuar.

“Metapneumovirusi njerëzor nuk është virus i ri, sepse ka qenë i pranishëm te njerëzit për të paktën disa dekada”, tha Wang Liping, hulumtuese në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjatë një konference për shtyp nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë së Kinës.

Wang shtoi se rritja e rasteve të virusit në vitet e fundit, i zbuluar për herë të parë në Holandë në vitin 2001, lidhet me metoda më të mira zbulimi.

“Aktualisht, shkalla e rasteve pozitive në zbulimin e metapneumovirusit njerëzor po luhatet, ndërsa shkalla e rasteve pozitive në provincat veriore është në rënie, dhe shkalla e rasteve pozitive te pacientët nën moshën 14-vjeçare ka filluar të bjerë”, tha ajo.

Shqetësime u rritën ditët e fundit lidhur me rritjen e infeksioneve me HMPV në Kinën veriore, pasi u shpërndanë pamje në internet që treguan spitale të mbushura me pacientë me maska.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk është njoftuar për shpërthime të pazakonta të infeksioneve në Kinë apo diku tjetër.

Javën e kaluar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi qytetarët e vendit me informacione thelbësore lidhur me këtë, me qëllim rritjen e masave të kujdesit parandalues.

Instituti tha asokohe se nuk kishte ndonjë rast me HMPV në Kosovë.

Ekspertët thonë se HMPV-ja nuk është si COVID-19, pasi ka qenë i pranishëm për dekada dhe ekziston një imunitet i ndërtuar kundër tij. Shumica e fëmijëve infektohen me këtë virusin deri në moshën 5-vjeçare. /Gazeta Enigma

Related Articles