Vapa përvëluese, IKSHPK me apel për qytetarët: Fëmijët të mos lihen në automjete, as për pak minuta

Vapa përvëluese, IKSHPK me apel për qytetarët: Fëmijët të mos lihen në automjete, as për pak minuta

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke paralajmëruar se vapa mund të ndikojë seriozisht në shëndetin e qytetarëve.

Përmes një njoftimi, IKSHPK rekomandon që qytetarët të pinë ujë rregullisht dhe të shmangin pijet me sheqer dhe alkool. Po ashtu, këshillohet që të kufizohen daljet në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 17:00, si dhe të qëndrohet në ambiente me hije ose të freskëta.

Instituti u bën thirrje qytetarëve të veshin rroba të lehta, prej pambuku dhe me ngjyra të hapura, ndërsa kërkon kujdes të veçantë për të moshuarit, të cilët konsiderohen më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.

Njëkohësisht, IKSHPK rikujton se fëmijët nuk duhet të lihen as për pak minuta brenda automjeteve, pasi temperatura në veturë rritet shumë shpejt dhe mund të paraqesë rrezik serioz për jetën.

Instituti gjithashtu rekomandon hidratim të vazhdueshëm, përdorimin e kremit mbrojtës ndaj rrezeve të diellit, mbrojtjen e syve dhe kokës me kapelë ose syze, si dhe vëmendje ndaj simptomave të goditjes nga nxehtësia, si lodhja, marramendja dhe dhimbja e kokës.

Në rast të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, qytetarët këshillohen të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

Related Articles