Me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë, të premten në mbrëmje Qeveria e Kosovës miratoi masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi më 6 dhjetor, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në raport me këto masa, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka deklaruar për Gazetën Enigma se kërkojnë nga Qeveria e Kosovës dhe nga Ministria e Shëndetësisë të ndërmerr fushata të ndryshme vetëdijesuese.
“Kërkesa jonë për Qeverinë e Kosovës, përkatësisht për Ministrin e Shëndetësisë është, që të ndërmarr fushata të ndryshme vetëdijesuse, të punoj më shumë në teren, si dhe të dërgoj ekipe mobile edhe në fshatra në mënyrë që të bëhet sensibilizimi i qytetarëve për vaksinim”, ka pohuar ai.
Tutje ai ka thënë se ata janë edhe anëtar të komitetit antiCOVID, dhe sipas tij, masat e paralajmëruara nga ministria e shëndetësisë, nuk janë ashtu siç i patën promovuar.
“Nuk ndodhi diçka e jashtëzakonshme, ashtu sa u promovua nga Ministria e Shëndetësisë, se do të ndërmarrin masa për varianti e ri Omicron. Shihet që masat e njëjta janë duke vazhduar dhe nuk ka ndonjë risi”.
Po ashtu kryetari i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi ka cituar se ishte, vetë mjekja që ka bërë identifikimin e variantit të ri, të quajtur Omicron, që vetëm për vaksinim të qytetarët ka apeluar.
“Ishte vetë mjekja që ka identifikuar këtë variant, që përpos vaksinimi nuk ka apeluar për diçka tjetër. Ajo nuk dha ndonjë alarm për ndonjë situatë të rënd nga varianti i ri. Andaj mendoj që ne jemi shtet i vogël dhe përvojat me COVID i marrim nga vendet tjera më të zhvilluara dhe ende vazhdojmë të jem i vetmi vend në rajon që kemi ende orë policore”, ka potencuar ai.
“Ne mendojmë se ora policore nuk ndikon në rritjen e rasteve, por është pikërisht mos vaksinimi i qytetareve në masë të madhe”, thekson ai.
Ibrahimi ka shtuar se si asociacion merret me kërkesat e komunave, më saktë me kërkesat e qytetareve, sa i përket orës policore dhe bartjes së maskës gjatë kohës sa janë duke ecur vet.
“Persona e imunizuar nuk kanë nevojë për të bartur maskën. Ne si asociacion do ta vazhdojmë ti mbështesim kërkesat e qytetarëve nëpër komuna”, ka përfunduar Ibrahimi.
E në anën tjetër me vendimin e Qeverisë së Kosovës ka reaguar edhe kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva.
“Ju njoftoj se shkresat që i kemi dërguar, janë të gjitha me shkrim në zyrën e zv.kryeminsitrit dhe ministrit të ri të shëndetësisë, por ende nuk kemi marr asnjë përgjigje”. Çdo vendim që merret pa u konsulto me ne, është vendim i njëanshëm”, ka potencuar Sogojeva në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.
Kurse, kryetari i gastronomisë, Petrit Kllokoqi, ka shkruar një letër drejtuar Kryenisitrit Albin Kurtit, Ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifit.
“Mos mendoni për ne vetëm atëherë kur keni më së shumti nevojë si shtet në ditët tuaja më të vështira, por mendoni për ne edhe në ditët tona më të vështira. Bëhuni shok i mirë i ekonomisë, na e hapni të paktën një derë të rrugëdaljes nga kjo fatkeqësi”, thuhet në letrëm e Kllokoqit.
Sipas tij, afro 3000 punëtorë apo 15000 qytetarë të këtij vendi po përballen me krizë të madhe ekonomike duke u mohuar e drejta për jetë e pa të ardhura për shkak të vendimeve jo adekuate komfor situatës pandemike.
Ndryshe, në bazë të vendimit të Qeverisë, mbetet në fuqi kufizimi i lëvizjes nga ora 00:00 deri në orën 05:00 dhe kufizimi i orarit të punës së gastronomisë nga ora 05:00 deri në orën 23:00.
Mysafirët në restorante dhe lokale duhet të posedojnë dëshminë për vaksinën anti-COVID.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative dhe ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
Pavarësisht numrit të personave, do të vazhdojë ndalimi i veprimtarisë së klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
LEXO EDHE: Vendimi i plotë i masave të reja anti-COVID
/Gazeta Enigma/