Vazhdon ‘’lufta’’ për 100 euro mes Qeverisë e SBASHK-ut – e pësojnë nxënësit

Vazhdon ‘’lufta’’ për 100 euro mes Qeverisë e SBASHK-ut – e pësojnë nxënësit

‘’Akulli’’ u thye të hënën e 12 shtatorit kur u dha lajmi se kryeministri i Kosovës, Ablin Kurti më në fund ka vendosur të takohet me Rrahman Jasharajn nga Këshilli Grevist, pasi ky i fundit kishte thënë se i ka nisur 83 shkresa në adresë të Qeverisë, shkruan Gazeta Enigma.

Ndonëse kryeqeveritari pati thënë se në shkolla prodhohen analfabetë funksionalë që pas shkollës “ose futën në skema sociale ose bëhen punëtorë krahu në Gjermani’’.

Por, takimi u jetësua pas 20 ditësh grevë.

Veçse pas më shumë se 2 orë negociata mes Jasharajt e Kurtit, nuk dha asnjë rezultat – greva vazhdon e shkollat mbeten të mbyllura.

Nervoz u shfaq para gazetarëve kryeministri Kurti duke e akuzuar SBASHK-un se funksionojnë me “logjikë të pazarit dhe shantazhit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti: Nuk duhet të ketë me shtetin logjikë të shantazhit dhe pazarit

“Ata – SBASHK-u me mua janë sjellur sikur buxheti i Kosovës të ishe para e imja. Më thoshin na ndihmo si vëllai. Si vëllai të ndihmojë privatisht. Ka kaluar koha kur kryeministri të bëhet vëlla”, tha Kurti.

“Nuk duhet të ketë me shtetin logjikë të shantazhit dhe pazarit”, shtoi i pari i Qeverisë.

“Më thanë le të dalim nga kjo gjendje edhe ju edhe ne. Edhe SBASHK-u edhe Qeveria. Por, nuk jemi ne në gjende të rëndë, por arsimi. Ata na thanë se do ta pyesin anëtarësinë, e porsa dolën nga takimi thanë se greva vazhdon”.

Kurti, pas takimit me grevistët ku s’pati rezultat, tha se ligji për paga është gati për dëgjim publik.

“Kërkesa për 100 euro u doli rrugës grevisteve. Projekt ligji për pagat do të dal në dëgjim publik në këtë javë”, tha kryeministri.

Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj

Jasharaj: Uroj që kryeministri Kurti edhe të tjerët mos t’i mbyllin dyert

Ndryshe nga Kurti, Rrahman Jasharaj, kryetar i Këshillit Grevist, theksoi se “takimi ishte përmbajtjesor, mirëpo për momentin nuk kemi ndryshime’’.

‘’Qeveria qëndron në deklaratat për pakon të cilat i dini (pako për 50 euro çdo muaj), ne qëndrojmë si zë i punëtorëve të sektorit publik me kërkesat tona, të cilat i dini; që të ndikojmë pozitivisht te ligji i pagave, me ligjin për shërbyesit civilë”, tha Jasharaj.

“Uroj që kryeministri Kurti edhe të tjerët mos t’i mbyllin dyert, të vazhdojnë me dialog, duke dëshiruar që gjendja të stabilizohet, besoj që kryeministri me stafin e tij do të diskutojë dhe analizojë, sepse tash është në dorën  e tyre çfarë do të ndodhë tutje. Pra, uroj që të vazhdojë dialogu, por për momentin nuk ka arritje”.

Megjithatë, Jasharaj u shpreh i vendosur, ‘’greva do të vazhdojë’’, duke shtuar se  “pala tjetër nuk po lëvizë nga ato që i ka deklaruar, ne po e mbrojmë anëtarësinë, ne i premtuam Kurtit që gjithë bisedën do t’ua prezantojmë anëtarësisë’’.

‘’Atë që e di dhe i thash edhe kryeministrit, atë 50 euro e kanë refuzuar të gjithë”.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigj.

/Gazeta Enigma/

Related Articles