Ka ndrruar jetë një 26-vjeçare nga Vitia sot pas infektimit me COVID-19.
Ajo ishte shtatzënë dhe kishte lindur para disa ditëve fëmijën në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.
Por pas lindjes të cilën e kishte kryer me operacion, ajo ishte transferuar për në intensivë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Gazmen Spahija ka treguar se pacientja ishte dërguar në intensivë më 2 shtator.
Sipas tij, pacientia kishte probleme në mushkri dhe organe tjera.
“Gruaja ka vdek sot në orën 02.30. Ajo është sjellë në gjendje shumë të rëndë me datën 2 shtator pas intervenimit kirurgjik cezarian, pacientën e kanë transferuar në intensivë. Është kryer lindja me intervenimin kirurgjik, prej sallës është sjell në intensivë. Gjendja ka qenë shumë e rëndë, përpos dështimit të funksionit të mushkërive, kishte dështim edhe të organeve tjera”, ka thënë ai.
Spahija ka treguar se pacientja kishte rezultuar pozitiv me virus më 3 gusht të këtij viti.
Ndërsa, është shprehur se nuk ka informacione nëse ajo ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese, ndonse ka thënë se ajo ishte në sjellë në klinikë në gjendje shumë të rënë shëndetësore.
Gjatë këtij viti, pesë gra shtatzëna të pa vaksinuara kanë humbur jetën nga COVID-19, tri nga të cilat kanë kryer edhe lindjen.