Vendimi i ZrRE-së për çmim të rrymës në komunat veriore – Çfarë pasoja mund të sjellë për Kosovën?

Vendimi i ZrRE-së për çmim të rrymës në komunat veriore – Çfarë pasoja mund të sjellë për Kosovën?

Jo vetëm pagesa, por edhe mos ngritja e çmimit të energjisë eletrike në veri po del të jetë problem për Kosovën, shkruan Gazeta “Enigma”.

Vendimi për mos ngritje të çmimit në katër komunat e veriut e ka marrë ZrRE-ja, nuk u prit mirë nga skena politike.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë për Gazetën “Enigma”, se këtë vendim e sheh si të gabuar dhe sipas tij do të lë pasoja në shtetin e Kosovës.

Lekaj ka radhitur dy pasoja që mund t’i ketë Kosova nga ky vendim i ZrRE-së.

“E para krijon precedent të keqë që qytetarët shqiptarë gjithmonë të paguajnë çmimin e qytetarëve të veriut e cila vjen si pasojë e arrogancës së tyre”.

“E dyta ky vendim është i kundërligjshëm sepse diskrimon qytetarët e Kosovës duke i ndarë në grupe dhe duke i dhënë favore e kjo është kundër të drejtave të njeriut dhe ligjit për barazi”, theksoi Lekaj.

Mirëpo, sygjerimi i Lekajt për ndryshim të këtij vendimi është kthimi mbrapa, derisa sipas tij nuk duhet të ketë rritje të çmimit të energjisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ndër të tjera ai nënvizon se “duhet krijimi i strategjive dhe planeve që sa më parë të filloj pagimi i energjisë elektrike në komunat veriore me shumicë serbe”.

Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do t’i dërgojnë komentet lidhur me raportin e fundit konsultativ të ZRRE-së.

“Ne do t’i dërgojmë komentet tona. ZRRE është institucion i pavarur. Ta zëmë se unë nuk e kam numrin e kryesuesit të Bordit, mirëpo ministrat e linjës dhe nga Kuvendi i Kosovës do t’i dërgojnë sa më parë komentet në mënyrë që Bordi i ZRRE-së, bazuar në raportin e vet t’i trajtoj sugjerimet”, ka theksuar ai.

Ndaj kësaj deklarate reagoi edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili kërkoi hetim nga Prokuroria për vendimin e ZrRE-së.

“Tentimi i Qeverisë përmes kryesuesit të Bordit të ZRrE-së për të arsyetuar diskriminimin etnik që ZRrE-ja është duke ua bërë shqiptarëve të Kosovës me rastin ngritjes së çmimit të rrymës, duke përjashtuar kështu komunat veriore nga kjo ngritje e çmimeve, është një veprim i ulët, diskriminues dhe me elemente raciste”, ka thënë ai.

Ndryshe, vendimin për mos ngritje të çmimit në veri, e ka konfirmuar Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu ka thënë se katër komunat veriore me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin konsultativ për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi ka sqaruar se për procesin gjyqësor që është ZRRE sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike në atë pjesë.

Sipas Fejzullahut, Kosova ka importuar energji elektrike me çmim tetë herë më të lartë dhe se gjatë muajit dhjetor 2021 është arritur piku maksimal i konsumit ditor të rrymë.

“Me kapacitet ekzistuese, prej 1,300MËh ka kaluar në 1,400MËh në periudhën e dimrit, në muajin dhjetor, e që është piku maksimal jo vetëm që nga paslufta, ky është piku maksimal që është arritur në Kosovë. Diferenca e kësaj sasie të energjisë është dashur të importohet me çmim nga 7 here deri në 8 herë më lartë me çmimet e importit në katër vitet e kaluara, e mos të flasim që çmimet e gjenerimit janë 10 herë më të shtrenjta se ai i çmimit vendor”, tha Fejzullahu.

Ndryshe, tash e një kohë është paralajmëruar se do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, derisa Qeveria rekomandoi qytetarët që t’i fikin dritat kur të dalin nga dhoma. Mirëpo, ngritja e çmimit dhe reduktimet e energjisë elektrike, është parë edhe si pasojë në sektorin e ekonomisë.

LEXO EDHE: “Fikni dritat kur dilni nga dhoma”, këshillat e Qeverisë për të kursyer rrymën

Related Articles