Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur ndaj ministrit të brendshëm Vulin nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Për këtë veprim të shtetit serb ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca thotë se Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë.
“Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
I pari i Kuvendit ka reaguar edhe për intervistimin e gazetarit Adriatik Kelmandi nga shërbimet secrete serbe.
Konjufca ka thënë se më këto veprime po shihet fytyra e “Ballkanit të Hapur”.
“Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin ‘biseda informative’. Vërtet e trishtë dhe e papranueshme. Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë ‘shtëpi e dytë’ për shqiptarët. Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si ‘fqinjësi e mirë’”, ka shkruar tutje Glauk Konjufca.