Vetëvrasjet në Kosovë, dukuri shqetësuese – Psikologu Kastrati shpejgon arsyjet dhe detajet e këtij fenomeni

Vetëvrasjet në Kosovë, dukuri shqetësuese – Psikologu Kastrati shpejgon arsyjet dhe detajet e këtij fenomeni

Vetëm nga janari deri në gusht të vitit 2023, 29 persona kanë kryer vetëvrasje në Kosovë. Në vitin 2020, numri i vetëvrasjeve ishte 40, kurse një vit më vonë, numri arriti në 51. Të përafërta ishin shifrat edhe për vitin e shkuar, 2022, ku në total u kryen 51 vetëvrasje, shkruan Gazeta Enigma.

Gazeta Enigma ka intervistuar psikologun Rron Kastrati për të kuptuar më shumë rreth shkaqeve, simptomave dhe mundësive të parandalimit të vetëvrasjeve, bazuar në numrin e tentim vetëvrasjeve që për tri vitet e fundit ishte rreth 400.

Psikologu Rron Kastrati, i pyetur nga Gazeta Enigma rreth vetëvrasjes si fenomen dhe arsyet që mund të shpien në vetëvrasje, ka thënë se ky është një vetëvrasja si dukuri është shumë kompleks dhe se arsyet që mund të nxisin një person deri tek vetëvrasja janë të shumta.

“Vetëvrasja është një fenomen mjaftë kompleks dhe mund të përcaktohet ose mund të nxitet nga ndërveprimi midis disa faktorëve të cilët mund të jenë: faktori neurobiologjik, pra i trurit, historia personale ose familjare e atij personi që shpreh tendencë apo kryen vetëvrasje, ngjarjet stresuese dhe faktorët ndikues të mjedisit socio-kulturor pra, mentaliteteve, zakoneve, traditave, mendësisë, spektrit religjioz e tjerë”, theksoi ai.

“Zakonisht ne kemi të dhëna nga hulumtimet shkencore se vetëvrasjet, shumica e vetëvrasjeve mund të ndodhin në kontekstin e një çrregullimi psikiatrik ose psikologjik ose si pasojë e sëmundjeve të rënda mjekësore. Por kushtet aktuale shqetësuese, globale, për shkak të një krize ekonomike, mund të kontribuojnë shumë më tej se kaq, në rritjen e ideve ose sjelljeve vetëvrasëse, kur personat humbasin shpresë, kuptimin e tyre ekzistencial dhe humbasin gjithashtu ndjenjën e kënaqësisë apo interesit për jetën dhe të dobishmen e kësaj jete, me të mirat dhe veçoritë e saja”, potencon tutje Kastrati.

Si vjen deri të vetëvrasjet, shpjegon psikologu

“Personat të cilët mund të kryejnë vetëvrasje, mund të kalojnë një farë faze të depresionit, ose thënë shkurt mund të vuajnë nga depresionet madhore. Mund të jenë shkaktarët e vetëvrasjes edhe varësitë e sjelljes, si bijgjozi, përdorimi i tepruar i internetit, abuzimi me substanca narkotike, gjithashtu baza tjera që ndërlidhen”.

Indikacion tjetër që shpien në vetëvrasje sipas psikologut Kastrati, janë edhe paragjykimet gjatë trajtimit dhe mos përkrahja nga komuniteti.

“Mos të harrojmë që ne mund ta theksojmë një indikacion tjetër që mund të shkaktojë vetëvrasje, që mund të jetë i nxitur, në këtë rast, mund të shkaktojnë persona të cilët kalojnë nëpër një proces të vazhdueshëm trajtimi, por nxitohen, paragjykohen dhe nuk arrijnë dot ta ruajnë shpresën e tyre se mund ta kalojnë një gjendje depresive apo ankthioze, duke mos gjetur përkrahje në komunitetin ku ata jetojnë. Pra, kjo duhet të vihet në theks. Por vetëvrasja, tendencat për vetëvrasje mund të nxiten edhe nga çrregullimet e humorit. Kjo është shumë e rëndësishme, duhet ta keni parasysh këtë. Pra, çrregullimet e humorit, luhatjet e vazhdueshme të disponibilitetit e të cilat mund të shpien personin deri në vetëvrasje”, thekson Kastrati.

Psikologu Rron Kastrati, i pyetur nga Gazeta Enigma nëse paragjykimet mbi shëndetin mendor në vendin tonë, janë një nga arsyet që shpien në vetëvrasje, ka pohuar një dukuri të tillë duke shtuar se këto paragjykime gjithashtu kufizojnë mundësinë e trajtimit.

“Patjetër që po, paragjykimet, stigma “nuk dua të vizitohem te psikologu se mund të jem i çmendur”, nuk gjejnë shpresë, i censurojnë apo kufizojnë mundësitë e tyre që të trajtohen apo përfitojnë nga trajtimi shkencor psiko-terapautik, dhe, të gjitha këto mund të dërgojnë deri tek idea apo prodhimi i idesë për të shtyrë personin deri tek një vetëvrasje. Por paragjykimi është kur thumbon personin dhe e përkufizon në mënyrë të gabuar, pa e gjykuar racionalisht ose logjikisht gjendjen e tij, ose në mënyrë të drejtë për çfarë personi vuan”.

“Vetëvrasja mund të parandalohet”

“Mos harroni, vetëvrasja cilësohet reagim tragjik ndaj situatave stresuese të jetës dhe aq më tragjik sepse vetëvrasja mund të parandalohet”, thekson Kastrati.

“Shenjat paralajmëruese të vetëvrasjes, kur ne takojmë një njeri dhe kuptojmë që po transmeton ose reflekton shenja paralajmëruese te vetëvrasjes ne duhet të kontaktojmë qendrat më të afërt të shëndetit mendor, në mënyrë që personi të përfitojë nga shërbimet psikologjike.Unë do i këshilloja atyre që kanë probleme të tilla apo tendenca suicide, ide suicide, nëse ndihen të mbingarkuar nga mendimet, nuk kanë dëshirë të jetojnë ose shprehin tendenca për vetëvrasje, atëherë duhet të kontaktojnë nga linjat telefonike të cilat ndihmojnë persona të rigjejnë shpresën e tyre për trajtim dhe kjo është shumë e nevojshme”, potencoi Kastrati.

Simptomat që shfaqen tek personat që e kanë menduar vetëvrasjen

Psikologu Kastrati, thekson se ka disa simptoma tek personat që e kanë menduar vetëvrasjen, dhe disa prej tyre janë mjaftë të dukshme.

“Ka deklarata të shumta, simptoma të shumta, të cilat e shpijnë personin në akte suicide, por ato identifikohen fillimisht, vëzhgohen, analizohen. Për shembull, ‘unë do të vras veten’, ‘do doja të kisha vdekur’, ‘do doja të mos kisha lindur’, ose marrja e mjeteve për të marrë jetën, blerja e armëve, ose grumbullimi i pilulave, tërheqja nga kontaktet sociale, dëshira për të mbetur vetëm apo për t’u izoluar dhe mos pasur fare kontakte me botën sociale”, thotë ai.

Tutje ai ka numëruar se simptoma të tjera janë “ndryshimet e herëpaseshme të humorit, emocionalisht të dëmtuar, duke mos ndjerë fare kënaqësi në gjërat apo rrethanat kryesore të jetës, të qenurit i preokupuar vazhdimisht me vdekjen ose dhunën, duke ndjerë bllokim emocional dhe psikologjik të pashpresë për çdo lloj situate, kërkesa për rritjen e përdorimit të alkoolit apo drogës, ndryshimi i rutinës normale duke përfshirë modele të të ngrinit ose gjumit, dhënia e sendeve ose marrja e gjërave, etj”.  

“Shenjat paralajmëruese nuk janë gjithmonë të dukshme” – thotë Kastrati, duke shtuar se jo gjithmonë ka shenja paralajmëruese te disa individë, dhe se karakteri i personit luan një rol të madh në ‘dukshmërinë’ e këtyre qëllimeve.

“Disa njerëz i bëjnë të qarta qëllimet e tyre, ndërsa të tjerë i mbajnë të fshehta mendimet dhe ndjenjat e vetëvrasjes. Pra, nuk duhet t’i besojmë asaj fjale popullore kur thonë se ‘vetëvrasjen mund ta bëjë personi i cili nuk flet, ndërsa këta të tjerët që flasin nuk e bëjnë”, thotë ai.

Tutje Kastati thotë se “Disa njerëz i bëjnë të qarta qëllimet e tyre, ndërsa të tjerët i mbajnë të fshehta mendimet dhe ndjenat e vetëvrasjes. Ka dy lloj apo tre lloj kategorish njerëzish që tentojnë, mendojnë të bëjnë vetëvrasje. Gabimisht, njerëzit mendojnë se vetëvrasja është zgjidhje. Mendojnë për botën tjetër dhe atje do të jenë më të mirë. Në fakt, mund të kalojnë shumë më të qetë, në qoftë se janë të ndikuar nga besimet religjioze ose nga disa ide të tjera, të cilat janë kontradiktore me realitetin”, theksoi tutje psikologu Kastrati.

Kush mund të jetë i rrezikuar?

“Vetëvrasja mund të ketë edhe një lidhje gjenetike, sigurisht, varësisht në qoftë se këta njerëz me gjasë mund të kenë një histori familjare të vetëvrasjes”, thekson Kastrati, duke numëruar disa faktorë që ngrisin rrezikun për vetëvrasje tek disa persona ‘potencial’.

“Rreziku që personat mund të bëjnë vetëvrasje në rastet kur ka tentuar vetëvrasje më parë, ndihen të pashpresë, të pavlerë, të shqetësuar, të izoluar nga shoqëria ose të vetmuar, përjetoi një ngjarje stresuese tjetër si humbja e një personi të dashur, shërbimi ushtarak, ose një ndarje ose problemi financiar ose ligjore, ka një problem me abuzimin e substancave me alkoolin, ka një mendim vetëvrasje edhe kur ka në akses një armë të zjarrit në shtëpi, ka një çrregullim themelor psikiatrik, depresioni i madh i stresit post-traumatik ose çrregullimi bipolar, apo kur ka një histori familjare të çrregullimeve mendore”, shpjegon ai.

Mundësitë e trajtimit dhe parandalimit të vetëvrasjeve

Psikologu Rron Kastrati ka theksuar edhe shërbimet psikologjike që janë të mundshme për trajtimin e mendimeve vetëvrasëse.

“Ofrohen shërbime psikologjike; CBT (Terapia njohëse dhe e sjelljes), EMDR (Desensibilizimi dhe ripërpunimi i lëvizjes së syve), dhe pastaj terapi mbështetëse, psiko-emocionale, biseda terapiotike, terapia psiko-dinamike, hipnoterapia dhe të gjitha këto të cilat ndihmojnë personin për ta tejkaluar këtë gjendje, varësisht nga simptomat e ashpra dhe intensiteti i tyre. Kemi raste të caktuar kur ne bashkëpunojmë me psikiatër dhe me terapitë medikale në mënyrë që personi të zhvendoset tërësisht nga një gjendje e tillë avullie dhe izolues në një gjendje shumë rikuperuese apo reziliente”, shton  Kastrati.

Kujtojmë se përkundër numrit të vetëvrasjeve të kryera, numri i tentimeve për vetëvrasje në tre vitet e fundit në Kosovë arrijnë shifrën prej 400 tentimeve. /Gazeta Enigma/

Related Articles