Një numër i madh i aksidenteve që ndodhin çdo ditë në vendin tonë shkaktohen si pasojë e mosrespektimit të rregullave në trafik. Në shumë raste viktima janë edhe këmbësorët, të cilëve shpesh herë u rrezikohet edhe jeta, si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes.
Një aksident i tillë ka ndodhur edhe të dielën në rrugën Prishtinë – Podujevë, ku një automjet ka goditur një këmbësor i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Për shkak të lëndimeve të marra, fëmija 10-vjeçar është dërguar për tretman mjekësor në QKUK si pasojë e lëndimeve serioze.
Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur kur shoferi i veturës B.A., 21-vjeçar nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë ka goditur këmbësorin, i cili ishte duke lëvizur në atë pjesë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet policore, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.