Një gjashtëvjeçare ka pësuar lëndime trupore pasi një veturë ka hyrë në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë dhe e ka goditur atë.
Rastin e ka bërë të njohur babai i vajzës, i cili ka deklaruar se i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa, Prokuroria Themelore e Prishtinës konfirmon për Gazetën Enigma ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj bëri të ditur se i dyshuari është ndaluar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
“Me urdhër të prokurorit është ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, tha Ulaj për Enigmën.
Prindi ka thënë se vajza e tij ka pësuar gërvishtje dhe ndrydhje, ndërsa emocionalisht është e shqetësuar.