Euro-deputetja që është edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është e bindur që negociatat në Bruksel do shkonin ndryshe, nëse nuk do ishin zgjedhjet afër në Kosovë e Serbi.
Ajo beson se “Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti do të jenë shumë të kujdesshëm në këtë kohë për shkak të zgjedhjeve të ardhshme”.
”Periudhë më e lehtë për dialogun do të jetë pas zgjedhjeve në raundin e ri të bisedimeve”, ka thënë gjermanja për televizionin ballkanas N1.
“E kuptoj se është çështje negociatash”, shtoi Cramon, por se “pas zgjedhjeve shpresoj të ketë përparim në dialog”.
“Procesi është shumë i gjatë dhe ne shohim që kemi zgjedhje në të dy vendet. Gjatë kësaj periudhe, është shumë e vështirë për audiencën vendase të pajtohet me disa reforma më të thella ose ndryshime të mëdha. Në këtë drejtim, unë shoh përparim”.
Raundi i ri i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivelin më të lartë politik, pritete të jetë në muajin e ardhshëm.