Viti 2021, jo për të gjithë ishte një vit i mbarë. Madje ai mund të njihet si vit i kobshëm, ku shumë shqiptar gjetën vdekjen. E gjithë kjo si pasojë e disa aksidenteve të tmerrshme që ndodhën gjatë 2021-ës, shkruan “Gazeta “Enigma”.
Dy aksidentet tragjike qe tronditen Ballkanin, ai në Kroaci dhe tjetri në Bullgari, ishin rastet më të rënda për shqiptarët. Autobusi ishte mjeti me të cilin u shkaktuan këta dy aksidente, e që mori shumë jetë.
Por si erdhi deri tek këto aksidentet?
Të dielën e 25 korrikut, 67 bashkatdhetarët që jetuan dhe punuan në Gjermani, u ballafaquan me një aksident në Kroaci, pasi njërin nga dy shoferët që ngiste autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë – për një moment e kishte zënë gjumi mbi timon.
Sipas konfirmimit zyrtar, shoferi po lëvizte në korsinë jugore në drejtim të Lipovacit, në kilometrin e 211-të, kur humbi drejtimin dhe doli nga rruga, duke kaluar kështu në pjesën me bar dhe rrotulluar anash.
Si pasojë, 10 persona vdiqën, më shumë se 40 u plagosën, shumë prej tyre rëndë. Po ashtu brenda autobusit ndodheshin edhe 15 fëmijë.
Nga dhjetë te vdekurit, ishin identifikuar 7 persona, katër prej tyre nga Komuna e Gjakovës, dy nga Rahoveci dhe një nga Podujeva.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në spitalin e Slavonski Brod, Josip Samarxhiç, ishte deklaruar për gjendjen e të plagosurve.
Sipas tij 42 pasagjerë kishin kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa 15 prej tyre ishin me lëndime të rënda.
Ai ka treguar se dy persona ishin vendosur në njësinë e kujdesit intensive si dhe ishin kryer të gjitha procedurat e kujdesit intensiv, deri sa katër të tjerë tashmë ishin operuar.
Humbin jetën nënë e bijë në aksidentin në Kroaci, shpëtuan dy vajzat tjera
Në mesin e 10 viktimave nga aksidentit me autobus në Kroaci kanë qenë edhe një nënë e bijë nga fshati Devë i Gjakovës.
E.B, 19 vjeçare si dhe e ëma, V.B, 45 vjeçare.
“Vëllai në Gjermani na ka lajmërua sot në mëngjes se është rrotullu autobusi në Kroaci, edhe ai ka dyshu prej fillimit që gruja dhe çika e dytë janë të vdekura, sepse çika e madhe i ka tregu që e ka pa nënën dhe motrën e saj që kanë vdekur”, kanë thënë familjarët.
Ata më tutje kanë njoftuar se dy vajzat e tjera ishin duke u trajtuar në spitalin rajonal të Slavonski Brodit, dhe ishin jashtë rrezikut për jetë.
Reagimi i autoriteteve kroate
Pas aksidentit, kishte intervenuar policia kroate, zjarrfikësit, anëtarët e Shërbimit Emergjent dhe shërbimi tërheqës, të cilët bënë gjithçka për të ndihmuar sa më shumë të lënduarit.
Policia dhe prokurorët kroatë kishin hapur një hetim dhe rrethanat e aksidentit do të hetoheshin.
Zëvendës-Prokurori i Shtetit Komunal në Kroaci, Sllavko Pranjiq, pati deklaruar se ishte arrestuar shoferi i autobusit, që ka dalë nga rruga, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në Sllavonski Brod.
“Shoferi është arrestuar nën dyshimin për drejtim të automjetit në mënyrë jo të duhur. Shkaqet e daljes nga rruga të autobusit do të përcaktohen kur të merren provat, ka thënë Pranjiq.
Kryeministri Albin Kurti vizitoi të lënduarit në Kroaci
Kurti kishte arritur të dielën në mbrëmje në qytetin Sllavonski Brod në Kroaci me helikopterin e ushtrisë kroate në kuadër të KFOR-it.
Ai ishte i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij qeveritar.
Kurti kishte vizituar të gjithë personat në spital, përfshirë dy persona që ishin në kujdes intensiv.
Biseda e fundit mes shoferit që vdiq në Kroaci edhe vëllait të tij
lir Sylmetaj, vëllai i vogël i shoferit që vdiq në aksidentin tragjik në Kroaci, kishe potencuar se rreth orës 8:30 ishin njoftuar nga agjencioni ku ka punuar së vëllai i tij nuk i ka mbijetuar aksidentit.
“Sot në mëngjes para orës 6:00 kemi kontaktuar me vëllain dhe na ka njoftuar se kanë arritur shëndoshë e mirë në Austri”, ishte shprehur në një prononcim për medie, Ilir Sylmetaj.
“Gjatë ditës kemi bërë apel te mediat që të mos japin informacione të pasakta në lidhje me këtë tragjedi. Vëllai ka vozitur maksimumi katër deri në gjashtë orë. Në momentin e aksidentit vëllai ka qenë në pushim [derisa autobusi është drejtuar nga shoferi tjetër]. Agjencioni na ka njoftuar se vëllai ka qenë në pushimore në momentin e aksidentit dhe për atë arsye ka mbetur i vdekur në vend”, kishte deklaruar Ilir Sylmetaj.
Ai ka thënë se vëllai, Naser Sylmetaj, këtë punë e ka bërë prej një viti dhe se me këtë punë e ka mbajtur familjen.
“Të vetmen punë e ka pasur këtë. Më këtë punë e ka mbajtur familjen”, ka deklaruar vëllai i tashmë të ndjerit Naser Sylmetaj.
Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po barte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër.
E hëna ditë zie në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, pati marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kishin humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.
Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Osmani e kishte ndërprerë vizitën që kishte në Japoni.
Në Prishtinë u nderuan viktimat e aksidentit në Kroaci, duke ndezur qirinj
Dhjetë qirinj që simbolizojnë dhjetë jetët e humbura në këtë aksident ishin ndezur pranë Teatrit Kombëtar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryekuvendari Glauk Konjufca, zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, ministrat Hekuran Murati, Rozeta Hajdari, Artane Rizvanolli, Faton Peci, deputetë, si dhe përfaqësues të institucioneve ndezën qirinjtë.
Qirinj ndezën edhe dhjetëra qytetarë të tjerë të cilët iu përgjigjen thirrjes së Qeverisë së Kosovës për homazhe për bashkatdhetarët që humbën jetën mëngjesin e së dielës.
Deklarata e ekspertit kroat të komunikacionit pas aksidentit
Eksperti kroat i komunikacionit, Goran Husinec pas aksidentit tragjik të autobusit që ndodhi në autostradën e Slavonski Brodit, deklaroi se për një rrugë kaq të gjatë, dy shoferë janë pak.
“Secili shofer i autobusit mund të ngasë për 9 orë brenda 24 orëve, pas së cilës ka një pushim të detyrueshëm. Dhe kur bëhet fjalë për autobus, ai duhet të pushojë për 2 orë pas 21 orësh punë, por kjo nuk respektohet”, ka thënë Husinec.
“Kjo rrugë zgjat rreth 25 orë, duke marrë parasysh qëndrimet në kufij. Dhe me turmat kur është sezoni, një udhëtim i tillë mund të zgjasë deri në 30 orë, kështu tani merreni me mend”, ka shtuar ai.
Ai ka treguar se si duhet të pushojnë shoferët gjatë këtyre rrugëve të gjata.
“Zgjidhja është e thjeshtë. Duhet të sigurosh banesa, ku shoferët do të ndërroheshin dhe ata që vozisnin duhet të pushonin”,ka theksuar ai.
Sa i përket aksidenteve në rrugë, Husinec thotë se problemi më i madh është se gjobat shkruhen por janë të vogla.
“Policia jep gjoba, por kur ishte hera e fundit që keni dëgjuar se dikush kishte paguar të njëjtën shumë”, ka pyetur ai.
Ambasada e Amerikës, ajo e Italisë, si dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë ngushëlluan familjarët e viktimave për tragjedinë në Kroaci
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Twitter, ambasada amerikane u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve në këtë aksident.
“Ngushëllime për familjet e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik këtë mëngjes në Kroaci. Ne i urojmë të lënduarve shërimin sa më të shpejtë të mundshëm”, thuhej në postimin e ambasadës.
Si ndodhi aksidenti tragjik në Bullgari ?
Të paktën 46 persona nga Maqedonia e Veriut mbetën të vdekur pasi një autobus ishte përfshirë nga flakët në një autostrade në perëndim të Bullgarisë, shkruan Gazeta Enigma.
Nga 52 turistë që ndodheshin në autobus shumica shqiptar me nacionalitete të ndryshme kanë gjetur vdekjen 46 prej tyre, ndërsa 7 kanë pësuar lëndime.
E ky aksident u cilësua si më i rëndi në Evropë në dhjetë vitet e fundit, pasi ka mumrin më të lartë të viktimave.
Shkaqet e aksidentit ende janë të pa qarta por dyshohet se bëhet fjalë për mosfunksionim të autobusit apo gabim njerëzor.
Ndërkohë, u raportua se qysh para 15 viteve shoferët e kishin paralajmëruar ministrin e atëhershëm të transportit të Bullgarisë, Petar Mutafciev se rruga ishte e rrezikshme dhe se ishte çështje kohe që të ndodhte aksident i madh.
Arsyjet pse kjo “autostradë” nuk ishte e certifikuar si e tillë ishte se ajo nuk i ploësonte kushtet, kishte seksion të një cilësie shumë të dobët, dyshemeja e dobët dhe parmakë të butë, të ashtuquajturat sytë e maces nuk pasqyrojnin dritën e fenerëve dhe ishte e vështirë të orientohen, sidomos në qoshe. Kthesat kanë një pjerrësi të kundërt dhe mbledhin ujë.
Në anën tjetër, eksperti Bullgar, Vasko Pirgov që punon administrimin e rrugëve, deklaroi se autobusi që u aksidentua tragjikisht ka qenë duke lëvizur me 100 km në orë.
Ai kishte thënë poashtu se ka arritur në vendin e aksidentit rreth orës 3:30 të mëngjesit dhe se rruga ka qenë në gjendje perfekte, nga autobusi ka qenë duke rrjedhur nafta, kaldaja ka qenë duke punuar dhe se zjarri ka filluar nga pjesa e përparme.
Kurse, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Siguria nga zjarri dhe mbrojtja e popullatës, kryekomisioneri Nikolaj Nikolov, kishte thëne se një ndër dyshimet kryesore është se ngjarja mund të ketë ndodhur pas përplasjes së autobusit me pengesat pasi në një hapësirë prej 20-30 metrash mungojnë parmakët të cilat dyshohet se autobusi i ka marrë me vete rreth 100 metra larg, nisur nga gjurmët e frenimit.
Kryekomisioneri nuk kishte komentuar shenjat e rrugëve por theksoi se deri më tani ajo që dihet është se zjarri mund të ketë nisur në tubat ose depozitat e naftës.
“Duket se ka informacione se ka pasur depozita apo tuba të naftës shtesë. Me shumë mundësi bëhet fjalë për një mosfunksionim teknik nëse ka ndodhur para aksidentit. Nëse është nga aksidenti, është krejt normale, duke pasur parasysh mungesën e disa parmakeve, të ketë shkëndija, për pasojë autobusi ka marrë flakë”, ka thënë ai.
Në mesin e viktimave ishin edhe një famile me 12 anëtarë si dhe vajza 27 vjeçare e politikanit të njohur shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Muhedin Brava, i cili është përfaqësues i Aleancës për Shqiptarë.
Nga 46 viktimat ishin edhe 12 të mitur, 2 nga të cilët ishin binjakë.
Deklaratat e çiftit që i mbijetoi aksidentit të rëndë në Bullgari
Të mbijetuarit e tragjedisë në Bullgari ishin edhe një çift të rinjsh. Bëhet fjalë për Lulëzimin nga Presheva dhe e fejuara e tij, Medina nga Sopoti i Kumanovës.
Ata kanë treguar se kanë qenë në ulësen e parafundit, ku për fat të mirë Lulëzimi ka qenë zgjuar dhe ka qenë i vetëdijshëm duke parë çdo gjë me sytë e tij.
Ai ka treguar se pasi ka plasur zjarri në autobus, ka arritur të thyej xhamin anësor të autobusit duke arritur në këtë mënyrë të dalë dhe të tërheq me vete edhe të fejuarën e tij që nuk ishte e në gjendje të ecte pasi kishte thyer këmbët.
E para prej çiftit ka folur gruaja e cila tha se ishte në gjumë në momentin kur ndodhi shpërthimi dhe ka parë një trup përmbi të.
“Nuk e di kam qenë në gjumë edhe vec kur i kam parë duke bërtitur njerëzit edhe nuk di si por kam pasur një njeri përmbi mua dhe më thirrke. Nuk e di si kam dalur jashtë por e kam parë përmbi xhamin hapur edhe kam kërcyer jashtë. Tymi i zi ka qenë dhe sikur të shpërthente një bombë. Ka qenë 2 i natës. Kam të thyer këmbën e majtë dhe gjurin. Këmba e djathtë është e lënduar kur kam kërcyer”, kishte thënë ajo për mediat maqedonase.
Lulzimi nga Presheva ka thënë se ka qenë zgjuar gjatë gjithë kohës dhe e ka parë të gjithë ngjarjen. Ai thënë se shoferët janë ndërruar nga Stambolli dhe kanë pasur pauza.
“Rasti ka ndodhur ka ora 2 i natës. I vetmi person që kam qenë zgjuar. Nuk kam fjetur dhe krejt rastin e kam parë me sy. Unë isha në këtë pjesën e majtë të autoubusit edhe e kam parë kur shkojke në anën e djathtë autobusi drejt bankina por nuk munda të lëshoj zë. Goditi bankinën dhe u bë një zhurmë e madhe. Të fejuarën e kapa. Filloi panikë e madhe”.
“Autobusi u ndal. U bë krejt tym aty unë për fat të mirë e kam marrë at çekiçin e kam thyer xhamin. Kanë zbritur disa persona pastaj edhe e fejuara ime. E kapa dhe e dërgova më larg 20 metra pasi u frikësova nga një shpërthim i mundshëm. Nuk ka pasur shumë trafik. Shoferët janë ndërruar nga Stambolli deri këtu. Nuk mund të them se nuk kanë bërë pauza”, ka thënë ai.
Orhan Aliti arriti t’i shpëtojë 6 persona të tjerë në aksidentin në Bullgari, por jo djalin e tij
Orhan Aliti ishte njëri prej shtatë të mbijetuarve të aksidentit tragjik në Bullgari.
Ai kishte arritur të thyej xhamin e pasmë të autobusit dhe të kërcejë në rrugë. Orhani për fat të keq nuk arriti të shpëtoj djalin e tij 23-vjeçar.
Samet Aliti, axha i të mbijetuarit Orhan Aliti, ka treguar për disa medie, bisedën e fundit me Orhanin i cili edhe i kishte njoftuar për aksidentin tragjik.
“Informatat e para i kemi marrë pikërisht nga Orhani, që është baba i Visarit që nuk i mbijetoi aksidentit. Në ora 1:20 Orhani ka telefonuar të shoqen në Blegjikë, pasi punojnë në atë vend. Ka lajmërua se autobusi ka marrë flakë derisa vet me një vështirësi shumë të madhe ka mundur t’i thyej dritaret e prapme të autobusit dhe të del nga aty”, ka theksuar ai.
“Ka qenë rrëmujë afër tij. Kur ka rënë në tokë , siç i ka treguar të shoqes, ka thyer njërën këmbë dhe një unazë të shpinës. Në atë moment i ka bërtit djalit Visarit “kërce Visar, kërce”. Dhe nga ai moment djali nuk i është lajmëruar. Ai thotë se telefoni i Visarit i ka cingëruar”.
Samet Aliti ka thënë se pas kërcimit nga autobusi Orhani për pak ka qenë duke u aksidentuar nga një tjetër veturë por është shmangur disi.
Orhan Aliti tashmë është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe me vetëdije të plotë.
Megjithatë axha i tij kishe pohuar se ende nuk i kanë treguar që djali i tij Visari është në mesin e viktimave.
“I janë shmangur disi, duke i thënë policia është duke u marrë me këtë punë”, rrëfen më tej axha i Orhan Alitit.
Ndryshe, Qeveria maqedonase kishte vendosur flamujt shtetërorë para Qeverisë në gjysmështizë dhe kishte shpallur tre ditë zie shtetërore për aksidentin tragjik në Bullgari.
Kurse, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kishte shpallur të mërkurën ditë zie për Kosovën në shenjë solidarizimi dhe nderimi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
Të mërkurën ditë zie e pati shpallur edhe shteti i Bullgarisë.
Me ceremoni shtetërore u nderuan viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari dhe iu dorëzuan familjarëve
Më 3 dhjetor, me një ceremoni shtetërore-ushtarake, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit u organizua pritje e mbetjeve mortore të qytetarëve të vdekur në aksidentin e autobusit më 23 nëntor në Republikën e Bullgarisë.
Kufomat e 45 bashkëqytetarëve tanë, të cilët arritën në aeroportin e Shkupit me avionë të ushtrisë bullgare, i pritën Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, Kryeministri Zoran Zaev, si dhe përfaqësues të tjerë përfaqësuesit më të lartë të këtyre, si dhe të institucioneve dhe organizatave të tjera fetare.
Në pritjen e mbetjeve mortore të të vdekurve në aksidentin tragjik morën pjesë edhe pjesëtarë të familjeve të tyre.
Përfaqësues të lartë të kreut shtetëror, Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, Kryetrari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, në ceremoni vendosën kurora me lule dhe u përkulën para kortezhit mortor të viktimave, me çka arkivolet me mbetjet mortore iu dorëzuan familjarëve që të varrosen në vendprehjet e tyre të përhershme.
Përshëndetje të fundit deri te viktimat dërguan edhe nga Republika fqinje e Shqipërisë, Republika e Bullgarisë dhe Republika e Kosovës.
Për nder të viktimave, kurorë me lule të freskëta vendosën edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi.
Para kortezhit mortor, kurorë me lule të freskëta vendosi edhe delegacion i Qeverisë, të cilin e udhëhoqi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani./Gazeta “Enigma”