Viti 2021 ishte vit i zgjedhjeve në Kosovë. Dhe, secila palë e tyre ishte më e paparashikueshme.
Atyre nuk u mbijetuan disa prej figurave të rëndësishme politike. I sapoardhuri nga Londra, arkitekti Përparim Rama, mposhti një nga figurat politike më popullore, Arben Vitinë.
I riu i LVV-së, Alban Hyseni, mposhti ujkun e vjetër të LDK-së, Lutfi Hazirin. U thyen e u morën bastione. Derisa LVV-ja në shkurt korri fitorën më të madhe ndonjëherë në Kosovë, pak muaj më vonë mbeti me 4 komuna.
Demokracia e re e Kosovës, ndonëse e mbushur me tensione dhe dobësi, e ka kaluar testin e funksionalitetit në dy palë zgjedhje të mbajtura gjatë vitit 2021. Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në fillim dhe ato lokale në fund të vitit ishin korridori të cilit nuk i mbijetuan disa figura të njohura politike, duke i humbur pozitat e tyre.
Isa Mustafa, ish-kryetari i LDK-së i cili ishte i bindur se kishte bërë mirë kur e nxori partinë e tij nga qeverisja me LVV-në, u detyrua të japë dorëheqje pasi kjo e fundit fitoi 51% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit. Mustafa vetë nuk mori pjesë në zgjedhje, por në njëfarë mënyre e pranoi përgjegjësinë e tij për rezultatin më të dobët në histori, të cilin e pësoi partia më e vjetër në vend. Ai mbeti anëtar i thjeshtë i partisë pas zgjedhjeve në LDK.
Lumir Abdixhiku e pasoi Mustafën, i cili nuk hoqi dorë vetëm nga pozita e kryetarit, por nuk u bë më as pjesë e procesit të jashtëzakonshëm zgjedhor brenda partisë. Kryetari i ri i LDK-së e mënjanoi Agim Veliun, të cilit iu zbeh fuqia brenda organeve të partisë në krahasim me kohën kur kryetar ishte Mustafa.
Abdixhiku e largoi ish-nënkryetarin Veliu edhe nga pozita e kryetarit të Degës në Podujevë, qytetin ku ai kishte qenë kryetar për shumë vjet. Nënkryetare e partisë u bë Shqipe Mjekiqi – Sadiku menjëherë pasi u anëtarësua në këtë subjekt politik. Nuk ishte çudi. Kjo ishte paralajmëruar sapo Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i partisë. Ai kishte thënë se do ta ndërtonte një ekip të ri me figura të reja, dhe se do t’ua hapte dyert atyre që ndajnë bindje të njëjta ideologjike me këtë parti.
Vjosa Osmani, e cila garoi njëherë për kryeministre si kandidate e LDK-së, nuk kishte pasur shumë mbështetje nga Veliu e disa të tjerë. Pasi partia e shkarkoi nga të gjitha funksionet për shkak të afërsisë me LVV-në, Osmani e përplasi derën dhe krijoi iniciativën e saj, për t’u bërë presidente me mbështetjen e partisë së Albin Kurtit pas zgjedhjeve të shkurtit. Ajo e pasoi ish-presidentin Hashim Thaçi në krye të shtetit, fiks kur Veliu, kundërshtari më i njohur i saj brenda LDK-së, po e përjetonte pafuqinë më të madhe politike në shumë vite karrierë.
Rezultati i jashtëzakonshëm i LVV-së në fillim të vitit e nxiti edhe PDK-në, ende me kryetar në detyrë, t’i organizonte zgjedhjet e brendshme. Memli Krasniqi nuk pati asnjë kundërkandidat dhe u zgjodh kryetar. Kryesia e PDK-së ndryshoi po ashtu.
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u kthye nga Washingtoni për t’u angazhuar në PDK si nënkryetare e partisë. Nënkryetar u bë edhe Ramë Buja.
Bernard Nikaj ishte njëri nga figurat e reja që shkoi në PDK dhe u fut menjëherë në Kryesi. Ndër emrat e tjerë, në kryesi të partisë u futën edhe Donika Shahini, Bekim Çollaku, Besa Kabashi Ramaj, Adri Nurellari e Rashit Qalaj.
Zgjedhjet e shkurtit i rritën pritshmëritë e kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të LVV-së i cili insistonte t’i bindte qytetarët se partia e tij kishte fituar edhe në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 tetor, edhe pse LVV-ja nuk kishte fituar pa balotazh në asnjërën prej komunave.
Partitë shqiptare që gjatë vitit i bënë opozitë LVV-së fituan në 23 komuna në zgjedhjet lokale. LVV-ja, që udhëheq me Qeverinë, dështoi edhe në shumicën e komunave ku ishte në balotazh, duke arritur të fitojë në vetëm 4 prej tyre.
Kurti nuk tha më se fituan. Ai e cilësoi si jo të kënaqshëm rezultatin zgjedhor pas balotazhit të 14 shkurtit, por u arsyetua se të tjerët u bënë bashkë kundër partisë së tij.
Megjithatë, për pak muaj, LVV-ja nuk mundi ta marrë edhe në nivel lokal mbështetjen e jashtëzakonshme të shkurtit.
Në kryeqytet, arkitekti Përparim Rama erdhi nga Londra për ta zhvlerësuar kartën e rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitinë, për të cilin partia e kryeministrit Albin Kurti, dhe vetë ai, ishin të bindur se do të fitonte qysh më 17 tetor, bile pa bërë shumë fushatë.
Vitia vetë ishte ndër më të votuarit në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të shkurtit. U bë ministër i Shëndetësisë dhe e la këtë ministri për ta udhëhequr kryeqytetin. Dështoi, e pranoi humbjen dhe e uroi Ramën.
Kështu, zgjedhjet dëshmuan që figura politike tani mund të bien edhe brenda pak muajsh, si në rastin e Vitisë. Mund të fitosh në fillim të vitit dhe të pësosh humbje nga fundi i po të njëjtit vit.
Opozita e dërrmuar në zgjedhjet parlamentare, në ato lokale mori zemër. Pothuajse secila parti opozitare veç e veç fitoi më shumë komuna sesa LVV-ja.
PDK-ja dhe LDK-ja fituan nga 8 komuna secila. PDK-ja ia mori LVV-së Mitrovicën e Prizrenin. Fitoi edhe në Drenas, Kaçanik, Vushtrri, Skënderaj, Han të Elezit e Ferizaj. Në katër prej këtyre komunave, pa balotazh.
LDK-ja, ndërkaq, me Përparim Ramën e fitoi garën më të rëndësishme komunale, atë të kryeqytetit, duke e mposhtur Arben Vitinë e LVV-së, i cili cilësohej si favorit absolut para 17 tetorit. Pas rezultatit më të dobët në historinë e partisë në zgjedhjet parlamentare, LDK-ja arriti të fitojë edhe në Fushë Kosovë, Istog, Viti, Junik, Dragash, Pejë e Lipjan. Në këto dy të fundit, pa balotazh.
Edhe AAK-ja fitoi më shumë komuna sesa LVV-ja. Partia e Ramush Haradinajt fitoi pa balotazh në Suharekë e Deçan, ndërsa arriti fitore në balotazh në Gjakovë, Klinë e Rahovec.
Lutfi Haziri, lideri i padiskutueshëm i Anamoravës humbi në Gjilan pas 13 vitesh në pushtet. Ai u shpreh i lumtur që po ia dorëzonte detyrën kryetarit të ri nga LVV-ja, Alban Hysenit.
Haziri u caktua si përgjegjës i LDK-së për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Agim Bahtiri, të cilin kryeparlamentari Glauk Konjufca e konsideroi akademik, humbi thellë në Mitrovicë dhe u kthye në Holandë pak ditë pas humbjes.
Pozitën e kryetarit e humbi edhe Mytaher Haskuka në Prizren. Shaqir Totaj i PDK-së ia zuri vendin, duke fituar garën në balotazh.
Naim Ismajlit të PDK-së, që qëndroi në krye të Komunës së Shtimes prej vitit 2007, iu dashtë ta lëshonte karrigen e kryetarit. Ai e humbi besimin e shumicës së qytetarëve pasi qeverisi për tri mandateve me qytezën në skajin perëndimor të Rafshit të Kosovës. Kjo humbje nënkuptoi edhe një bastion më pak për PDK-në./Gazeta Enigma/