Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se në Klinikën e Gjinekolologjisë po bëhet një transformim, pasi tregoi se rreth 5.5 milionë euro janë investuar për ta bërë Klinikën e Gjinekologjisë ndër klinikat “më moderne në rajon”, njofton Gazeta Enigma.
“Dhomat e pacienteve tani me 2 shtretër për dhomë, nga 8 më herët. Çdo dhomë ka tualet dhe nyje sanitare”, shkroi Vitia në një postim në Facebook.
I pari i Shëndetësisë tha se për herë të parë është vendosur ventilimi qëndror, është bërë digjitalizimi i shërbimeve në ambulancën specialistike, si dhe riorganizimi i sporteleve dhe hapësirave pritëse për pacientët.
Vitia po ashtu bëri të ditur se tri shërbime të reja po shtohen në klinikë; Fertilizimi i asistuar mjekësor (shërbim që kushton deri në 3000 euro, për pak muaj do të ofrohet edhe në shëndetësinë Publike), Amniocenteza (kjo procedurë përdoret gjatë shtatëzanisë për të zbuluar anomali kromozomike, defekte gjenetike, infeksione fetale dhe probleme të tjera shëndetësore. Shërbim që kushton deri në 600 euro, do të jetë falas në sistemin publik), dhe Mjekësia fetale (monitorimi dhe trajtimi i shëndetit të fetusit e nënës gjatë shtatzënisë, vlerësimi i rreziqeve, diagnostikimi i anomalive fetale dhe ofrimi i ndërhyrjeve për t’i rritur shanset e një shtatzënie të shëndetshme).
“Shërbimet e reja kursejnë buxhetin e familjeve tona. Ndryshimi rrënjësor po merr jetë klinikë për klinikë, ditë pas dite”, shkroi Vitia. /Gazeta Enigma