Presidenti i FIFA-s, Gianni Inantino është duke qëndruar në Kosovë në një vizitë një ditore.
Infantino gjatë ditës së sotme është pritur nga kryetari i FFK-së Agim Ademi me bashkëpunëtorë. Pas takimit me Ademin, Infantino ka bërë homazhe te përmendorja e Fadil Vokrrit dhe ka vizituar stadiumin “Fadil Vokrri”.
Presidenti i FIFA-s është pritur në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, raporton Gazeta Enigma.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ishte i shoqëruar nga presidenti Agim Ademi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe presidenti i FFM-së, Muamet Sejdini”.
“Në delegacion me Infantinon janë edhe Mattias Grafstrom, zv/sekretar i përgjithshëm i FIFA-s, Alasdair Bell, zv.sekretari i përgjithshëm i administratës së FIFA-s, Youri Djorkaeff, këshilltar i lartë i futbollit dhe Federico Raviglione, menaxher i zyrës së presidentit Infantino”, ka shkruar faqja e FFK-së.
Infantino gjatë ditës do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e sportit, Hajrullah Çeku e kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.