Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka cilësuar si të paqëndrueshme deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se ka ekzistuar një koordinim i të gjitha partive tjera kundër Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet lokale, raporton Gazeta Enigma.
“Shpresoj që i evidenton, e i kupton dhe një prej tyre duhet të jetë arroganca e pushtetit e cila për këta nëntë muaj ka qenë shenjë dalluese e tyre”.
“Sa i përket bashkimit, mendoj se është një arsyetim i paqëndrueshëm edhe në kuptimin faktik, për shembull partitë opozitare jemi edhe ne, edhe Lidhja Demokratike edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, me AAK-në këta kanë pasur koalicione formale në disa komuna dhe në disa prej tyre kanë fituar, për shembull në Kamenicë”, është shprehur ai.
Ai theksoi se LDK dhe LVV kanë pasur koalicion në Dragash.
“Nuk kemi pasur koalicion me LVV. Në Vushtrri i kemi ftuar, ata nuk janë përgjigjur. Por, besoj fuqishëm që ne e kemi pasur mbështetjen e votuesve të LVV-së në raundin e dytë sepse besoj që kanë zgjedhur t’i udhëheqë një kryetar si Ferit Idrizi për të kaluar nga periudha katër vjeçare e stagnimit në Vushtrri” tha Krasniqi.
Madje, Krasniqi ka paralajmëruar se kjo parti do t’i shkojë deri në fund çështjes së votave për Komunën e Dragashit.
Ai ka thënë se në rast të kthimit të përgjigjes negative nga PZAP lidhur me zarfet e dyshimta me postë nga diaspora, atëherë do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore deri në fund.
“Ka bazë për hetime nga prokuroria sepse do të ishte e papranueshme që një proces i mirë zgjedhor të dëmtohej nga një formë e tillë e organizimit, e cila e shkel legjislacionin në fuqi, pasi çdo qytetar e ka të drejtën e votën të pacenuar. Ne do të ndjekim rrugën ligjore dhe do të shkojmë deri në fund”, u shpreh Krasniqi në “Rubikon”.
Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK-ja PDK-ja doli e para, por ishin votat me postë të diasporës ato të të cilat përmbysën rezultatin në favor të kandidatit të LDK-së, duke e bërë fitues të zgjedhjeve të 17 tetorit.
Si rrjedhojë e kësaj, PDK ka dërguar ankesë në PZAP pasi dyshohet se zarfet e votave nga diaspora janë plotësuar nga një person i vetëm dhe si së tilla nuk duhet të përfshihen në rezultatin zgjedhor. Madje, PDK-ja kishte kërkuar që votat e diasporës të mos përfshihen në rezultatin përfundimtarë. /Gazeta Enigma/.