Vuçiç për librin e Rita Augestad në Beograd: Po ta dija do të kisha shkuar t’i bëj një pyetje

Vuçiç për librin e Rita Augestad në Beograd: Po ta dija do të kisha shkuar t’i bëj një pyetje

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë vizitës së tij në Budapest ka komentuar edhe promovimin e librit të Rita Augestad, bashkëshortes së kryeministrit Kurti, që ndodhi sot në Beograd, ku u promovua libri i sapo-përkthyer i saj “Momente të vetë-vendosjes: koncepti i vetë-vendosjes dhe ideja e lirisë”.

”Ajo është grua norvegjeze. Nuk kam as problem as frikë nga fjalët dhe librat e dikujt. S’kisha ide për këtë, e lexova në gazetë”, tha së pari Vuçiç.

“Por, me që ra fjala, kam një pyetje”, tha Vuçiç.

“Si ka mundësi”, pyeti ai “që Vetë-Vendosja të jetë esenca e lirisë vetëm për serbët? Është pyetje për të gjithë. Ne dimë ku përkasim. E di që jemi të vegjël, dhe fuqitë nuk ishin në anën tonë në 1999”, tha presidenti serb Vuçiç.

Ndërsa thotë se “po ta dija se për çfarë bën fjalë libri, do të kisha shkuar atje për të marrë përgjigje vetëm për këtë pyetje. Vetëm mos gënjeni dhe mos u shtirni si majmunë, sepse s’është ashtu”, përfundoi ai.

Ndërkaq të enjten libri i Rita Augestad, bashkëshortes së Kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurtit, është përkthyer në gjuhën serbe nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, të cilët edhe i organizuan një konferencë diskutimi mbi konceptin e vetë-vendosjes së popujve.

Në këtë konferencë morën pjesë emra të shquar akademik dhe aktivistësh politikë si Sonja Biserko, ku edhe Rita Augestad u lidh përmes platformës për takime online, Zoom.

Rita Augestad falënderoi organizuesit për përkthimin dhe promovimin që i është bërë veprës së saj, si dhe bisedën e bërë mbi konceptin e të drejtës për vetë-vendosje të popujve.

Ajo shprehu pritjet e saja që koncepti i vetë-vendosjes, kuptimi dhe nocioni i së cilës po pëson ndryshime, t’i kthehet skenës së politikës ndërkombëtare.

“Kjo tezë shqyrton sesi koncepti i ‘vetëvendosjes’ është shfaqur në diskursin ndërkombëtar të nivelit të lartë në momentet kryesore në shekujt 20 dhe 21. Gjuha ekzakte e ‘vetëvendosjes’ u ndërkombëtarizua në 1918 nga Woodrow Wilson në kontekstin politik të Luftës së Parë Botërore, dhe në reagim ndaj referencave të mëparshme të Leninit për konceptin, të cilin ai e kishte zhvilluar midis 1903 dhe 1917”, shkruan në abstraktin e librit të Ritës /Albanianpost.com

/Gazeta “Enigma”/

Related Articles