Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ai është kundër ndryshimit të kufijve, por kjo ide, sipas tij, do të mund të gjente zbatim vetëm nëse do të mandatohej nga Kombet e Bashkuara ose një institucion tjetër.
“Ndryshimi i kufirit është i mundur vetëm nën mandatin e Kombeve të Bashkuara ose ndonjë institucioni tjetër”, tha Vuçiq për televizionin ‘Prva’, duke shtuar se pozicioni i Serbisë bazohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar. Gjatë javëve të fundit, mediat në rajon, por edhe më gjerë, kanë shkruar për idetë për ndryshimin e kufijve të vendeve të Ballkanit si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Mediat në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni kanë shkruar se për këto ide kryeministri slloven Janez Jansha, vendi i së cilit merr së shpejti edhe kryesimin e radhës të BE-së, kishte dorëzuar në Bruksel një “non-paper”. Por, në BE kanë thënë disa herë se “nuk e kanë parë një letër të tillë”. Disa shtete të BE-së, e më së shumti Gjermania, janë shprehur kundër ideve të tilla duke i quajtur si të rrezikshme.
Në gjuhën e institucioneve evropiane, “non-paper” është një dokument joformal, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar. Ndërkohë Sllovenia, më 17 maj, do të jetë nikoqire e samitit të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi Bërdo-Brioni.
Vuçiqi tha se pas takimit të nivelit të lartë, ai do të vizitojë Brukselin. Bërdo-Brioni është një nismë e presidentëve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dy shtete anëtare të BE-së, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe BE-së.