Zbardhet deklarata e Brdo-s: Mbështetje perspektivës evropiane dhe dialogut Prishtinë-Beograd

Zbardhet deklarata e Brdo-s: Mbështetje perspektivës evropiane dhe dialogut Prishtinë-Beograd

Pas takimit të liderëve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, ka dalë edhe deklarata e përbashkët për shtyp, e cila përfshat rrjedhojat e takimit.

Dy pikat kryesore, lidhen me mbështetjen e qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjes së plotë për dialogun Prishtinë-Beograd dhe punën e bërë nga ndërmjetësuesi i bisedimeve, Miroslav Lajçak.

Mbi perspektivën e Ballkanit, do të intensifikohet më tej angazhimi i përbashkët i të gjitha vendeve. Kjo, për të pasur një transformim politik, ekonomik dhe social të rajonit të Ballkanit Perëndimor. BE-ja, sipas deklaratës, duhet të mbajë dhe thellojë zhvillimin e saj, duke siguruar kapacitetet për të integruar anëtarë të rinj.

Parësor në Ballkan, do të jetë zhvillimi i demokracive. Gjithashtu, ai i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe sundimit të ligjit. Shoqëria civile dhe media e pavarur dhe pluraliste, janë në vëmendje të evropianëve.

Nuk do të mungojnë as investimet në rajon, si donatorët kryesorë në Ballkanin Perëndimor.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, në deklaratë bëhet me dije se ka mbështetje të plotë për përfaqësuesit specialë të BE-së për ndërmjetësim. Fokusi kryesor është ai i normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Ky stabilizim, cilësohet si kritik për të stabilizuar dhe zhvilluar të gjithë rajonin. Gjithashtu, për të siguruar vijimësinë e rrugës evropiane për të dy shtetet.

Sipas deklaratës, mbështetje të veçantë do të ketë edhe për të adresuar problemet e shkaktuara nga kriza e COVID-19. Ndihma në këtë aspekt do të jetë konkrete, për përballimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Kjo rimëkëmbje do të vijë falë një plani ekonomik të investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Zbatimi i agjendës së gjelbër është pjesë e diskutimeve, ashtu si angazhimi i vendeve të rajonit për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.

Kjo nismë, duhet të jetë në kuadër të Procesit të Berlinit, të mbështetur plotësisht nga BE-ja.

Von der Leyen: Me Ballkanin ndajmë një histori, vlera dhe të njëjtin fat

Në deklaratën për shtyp pas samitit, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhenë një mesazh të qartë pro zgjerimit të BE-së:

“Ballkani është BE. Kemi të njëjtën histori dhe vlera dhe jam e bindur, edhe të njëjtin fat”.

Kështu von der Leyen përshkroi gjithçka ishte biseduar në tryezën e përbashkët.

Ajo ravijëzoi se Komisioni, po bën të pamundurën për të vijuar procesin e zgjerimit të unionit. Ajo theksoi se Ballkanin, BE-ja e dëshiron pjesë të saj.

Investimet e mëdha ekonomike, janë gjithashtu në fokus të BE-së. Kjo, pasi unioni është edhe partneri kryesor në Ballkanin Perëndimor sipas saj. Deri në 30 miliardë euro, mund të investohen nga evropianët në rajon.

Gjithsesi, në vizitën e saj të javës së shkuar, von der Leyen, pati pikasur një frustrim të qytetarëve ballkanas karshi BE-së.

“Unë i kuptoj ata”, vijoi ajo. “E pashë padurimin e tyre dhe i kuptoj”.

Mbi reformat, ato kanë qenë të dukshme sipas presidentes, por majat ende nuk janë arritur. Ndaj, duhet bërë më shumë për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, zhvillimit të drejtësisë dhe lirisë së medias.

Për sa i përket negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, von der Leyen theksoi se ato duhen hapur sa më parë. Punë është bërë nga Komisioni për të ndërmjetësuar bisedimet mes Bullgarisë dhe palës maqedonase. Ndaj, duhet doemos të gjendet gjuha e përbashkët mes tyre.

Një sukses ndërkaq, e ka quajtur çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u zgjidh me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Bisedimet dhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë për targat, të ndërmjetësuara nga BE, janë treguar se kemi mundësi të gjejmë zgjidhje. Ishte një ujdi shumë e mirë mes dy vendeve. Duhet të vijojmë punën në këto linja”.

Në përmbyllje, presidentja theksoi se është besimplotë se zgjidhja e problemeve, do të arrihet.

Michel: Rajoni i Ballkanit Perëndimor, rëndësi strategjike për BE

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në konferencën për shtyp pas përfundimit të Samitit midis liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të mërkurën e 6 tetorit, theksoi se rëndësi strategjike për Bashkimin Evropian është rajoni i Ballkanit Perëndimor.

“ Konfirmojmë punën që duhet të bëjmë për zgjerimin. Ka pasur qartësi politike mes nesh, për të intensifikuar punën politike që duhet të bëjmë. Lufta kundër korrupsionit, është në ADN-në e unionit. Kemi debate politike mbi to dhe duhet parë si mund të arrijmë më shumë progres mbi parimet evropiane”.

Sipas tij, kjo është zgjedhje që e duan evropianët, por edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Çështja e klimës dhe agjenda digjitale është në fokusin tonë. BE-ja duhet të jetë më e dukshme në këto shtete mbi bazë të këtyre agjendave. Kjo është pika e dytë shumë e rëndësishme”.

Gjithashtu Michel ravijëzoi se pika e tretë është ajo e zgjidhjes së konflikteve të Ballkanit.

“Çështja e minoriteteve duhet trajtuar. Ka pasur progres, por inkurajojmë më shumë punë për këto çështje, që të avancojmë politikat tona”, bëri me dije presidenti.

Për të, ka një debat të 27 vendeve mbi zgjerimin e unionit.

“Duhet të vendosim së bashku si duam ti marrim vendimet dhe çfarë duam të bëjmë. Ka disa tema në të cilat duhet të fokusohemi mes nesh, për t’i kthyer në çështje më konkrete dhe të jemi më të angazhuar me politikat tona”.

Ndër të tjera, presidenti tha se sot kanë dhënë shembuj konkret.

“Nëse duam të jemi më efikas, më të vendosur, na duhen rezultate të tjera, megjithatë kemi treguar se vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë”.

Sa i përket rritjes së çmimeve, ai bëri me dije se do të diskutohen në takime të tjera.

“Sundimi i ligjit, është një mekanizëm që duhet të funksionojë. Kemi procese të rëndësishme ku BE dëshiron të ketë një rol kryesor sa i takon dhe ndryshimeve klimatike”.

Related Articles