Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi tha se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga përfaqësuesit e përzgjedhësit Franco Foda, pasi u raportua nga mediat e Emirateve Arabe se trajneri mund të largohet nga Kosova, pas një oferte nga klubi i njohur i këtij vendi, Al-Ëahda.
“Pas raportimeve se përzgjedhësi Franco Foda është pranë largimit nga posti i tij në Kombëtaren tonë, dëshiroj të informoj opinionin publik se as unë, si President, dhe as FFK-ja si institucion, nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar nga përfaqësuesit e përzgjedhësit Foda apo nga ndonjë palë tjetër”, shkroi Ademi në një postim në Facebook.
“Foda aktualisht ka obligime kontraktuale me ne dhe presim që ato obligime të përmbushen, veçanërisht tani, në këtë fazë të rëndësishme të fushatës kualifikuese për Kampionatin Botëror, drejt së cilës shkojmë me optimizëm dhe dëshirë të madhe për sukses”, shtoi tutje i pari i FFK-së.
Largimi i përzgjedhësit gjerman u tha se do të ndodh këtë verë, para nisjes së ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026.