Nga zgjedhjet e 23 prillit katër komunat veriore mund të bëhen me “zot shtëpie”, shkruan Gazeta “Enigma”.
Të dielën e 23 prillit në komunat veriore të Kosovës pritet të zhvillohet procesi zgjedhor për kryetar komune, ku qytetarët e asaj pjese mund të votojnë për të parin e komunës së tyre.
Policia dhe AKI janë përgatitur për çdo rast
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se të dielën procesi zgjedhor në komunat veriore do të jetë i qetë.
“Tani varet kryesisht nga popullata lokale se si do të veproj. Policia e Kosovës dhe AKI-ja jam i sigurt se kanë informata, me qenë se kanë njerëzit e tyre në teren dhe ato informata i analizoj dhe komforë atyre informatave i përgatisin planet operative”, tha ai.
Qalaj për thirrjet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, që serbet e Kosovës të mos dalin në zgjedhje janë kërcënime për banorët e veriut.
“Ka kohë që situata e sigurisë në pjesën veriore është e tensionuar, shpesh herë atje kemi incidente kriminale, djegieje të pronave, kërcënime të njerëzve. Kemi thirrje nga presidenti i Serbisë për bojkotimin e zgjedhjeve, thirrje nga një president është më shumë se thirrje, ajo është një lloj kërcenim për banorët lokal, për banoret serb të komunave veriore. Mirëpo unë mendoj që zgjedhjet do të mbahen të qeta, jam shumë i sigurt se institucionet e sigurisë së Kosovës kanë bërë të gjitha përgatitej për çdo eventualitet, për çdo skenar, për çdo situatë që mund të paraqitet”, tha Qalaj për “Enigmën”.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës tutje ka theksuar se edhe nëse zgjedhen kryetarët në zgjedhjet e 23 prillit, ata do të kenë problem që t’i ushtrojnë detyrat e tyre.
“Mendoj që kryetarët që do të dalin nga këto zgjedhje do të kenë mjaftë probleme që t’i implementojnë politikat e tyre. Me rëndësi është që e diela të kaloj e qetë”, tha Qalaj për “Enigmën”.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me ekspertin e sigurisë Fadil Kajtazi, i cili ka deklaruar se gjendja e bllokuar në veri i konvenon Serbisë.
“Në fakt kjo është gjendja që i konvenon Serbisë, e cila është në funksion të doktrinës së tyre për ta mbajtur të ngrirë gjendjen në pjesën veriore dhe për t’i bërë diversion konsolidimit shtetëror të Kosovës”, tha Kajtazi.
Tutje ai ka theksuar se mos pjesëmarrja e Listës Serbe në këto zgjedhje është pjesë e skenarit e cila zbatohet nga strukturat e shërbimeve inteligjente serbe.
E këtë gjendje Kajtazi e ka cilësuar si rrezik të madh, pasi edhe ndikimi i Kosovës në pjesën veriore është shumë i vogël.
“Skenari është aktiv, mos marrja pjesë e Listës Serbe, dhe frikësimi i qytetarëve për të dalë në zgjedhje është skenari, i cili përmes metodave terroriste zbatohet nga strukturat e shërbimeve inteligjente serbe”, tha Kajtazi për Gazetën “Enigma”.
Sipas tij “ky është rreziku më i madh; kapacitetet e ndikimit politik janë zvogëluar tej mase. Mundësitë tjera të intervenimit ushtarako-policor janë të pamundura. E vetmja mënyrë për të kthyer gjendjen është diplomacia, e cila siç po shihet është jashtë orbitës”.
Sipas Kajtazit dështimi ose shtyrja e zgjedhjeve nuk do të ndryshonte asgjë.
“Gjëja më ideale në këtë rast do të ishte një ofertë (amerikane sikur në rastin për tabela) për një afat kohor, pastaj ata të impononin zgjidhje. Kjo për momentin nuk duket në horizont, nga se diplomacia e jonë ka humbur kredibrilitetin dhe nuk po duket askund”, theksoi Kajtazi.
Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhje
Përgjatë afatit 14 ditor të KQZ për aplikim për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e 23 prillit, Lista Serbe nuk aplikoi.
Në njoftimin e Listës Serbe thuhet se ata kërkojnë krijimin e asociacionit dhe heqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftim.
Partia më e madhe e serbëve nuk kishte aplikuar për pjesëmarrje as në zgjedhjet e 18 dhjetorit, të cilat më pas u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani.
Kandidatët për kryetarë të komunave
Kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut janë Taulant Osmani nga PDK, Erden Atiq nga VV dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica.
Për kryetar të Zveçanit janë Ilir Peci nga PDK, Sladjana Pantovic si kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga VV.
Të parin e komunës së Zubin Potokut e synojnë Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga VV.
Ndërsa, për kryetar të komunës së Leposaviqit janë Albulena Behluli- Hetemi nga PDK, Aleksandar Jabllanovic nga Partia Kosovskih Srba dhe Lulzim Hetemi nga VV.
Kujtojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 mbahen pasi në fillim të nëntorit të vitit të kaluar kryetarët e katër komunave në Veri patën dhënë dorëheqje. /GAZETA ENIGMA/