Zgjedhjet nën hije dyshimi: Një muaj pas votimit, rinumërimi i votave ende në proces

Zgjedhjet nën hije dyshimi: Një muaj pas votimit, rinumërimi i votave ende në proces

Nesër bëhen një muaj nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, teksa procesi i rinumërimit të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë është shoqëruar me dyshime serioze për manipulim dhe falsifikim të rezultateve, duke nxitur reagime të forta institucionale dhe politike, shkruan Gazeta “Enigma”. Teksa KQZ u zotua se këtë javë procesi mund të përmbyllet, autoritetet e vendit po punojnë drejt zbardhjes së këtij procesi

Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, këtë të martë ka njoftuar se të gjitha prokuroritë në Kosovë tashmë kanë lëshuar autorizime për grumbullimin e informatave ndaj personave të cilët faktikisht kanë manipuluar apo falsifikuar procesin e numërimit të votave.

Tutje, Pula ka theksuar se secila prokurori po pret rezultatet përfundimtare për të vazhduar hetimet e mëtejshme dhe se për veprën penale të falsifikimit parashihet dënim deri në pesë vjet burg, meqë bëhet fjalë për persona zyrtarë të emëruar.

“Hetimet do ta tregojnë se si është bërë ky falsifikim i rezultateve. Asnjë nga ta nuk do të amnistohet dhe askush që e ka shkelur vullnetin e lirë të votuesit nuk do t’i shpëtojë forcës së ligjit”, deklaroi ajo.

Nga një muaj paraburgim për 23 “manipuluesit e votave”

Më 25 janar të këtij muaji, Gjykata Themelore në Prizren ka mbajtur katër seanca dëgjimore, lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 23 personave, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosjes, marrjes së ryshfetit dhe dhënies së ryshfetit.

Për këta 23 të dyshuar për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, është caktuar nga një muaj paraburgim.

Gjyqtarët e procedurës paraprake kanë marrë vendim si në vijim: njëzetenjë (21) të pandehurve – O.Sh., V.B., A.K., B.B., A.H., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A.D., B.B., D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., A.V. dhe M.J. – u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më 23.02.2026, për shkak të dyshimit të bazuar se secili prej tyre ka kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndaj një (1) të pandehure, A.V., i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më 23.02.2026, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216, paragrafi 2 i KP-së, si dhe marrja e ryshfetit nga neni 422, paragrafi 1 i KP-së.

Ndaj një (1) të pandehuri, G.P. (në cilësinë e vëzhguesit), i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më 23.02.2026, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: kanosja nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KP-së, si dhe dhënia e ryshfetit nga neni 422, paragrafi 1 i KP-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

“E vërteta është mbrojtja ime e vetme”

Deputeti dhe kandidati për deputet nga LDK-ja, Anton Quni, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, tha se distancohet nga çdo rritje e votave në emrin e tij.

Tutje, ai theksoi se çdo shtim i votave në emrin e tij është bërë pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij.

“Dëshiroj të bëj të ditur me përgjegjësi të plotë se çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeninë time. Unë nuk kam kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve. Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore”, tha Quni.

Tutje, Quni u shpreh se është i interesuar që të zbardhet e gjithë e vërteta, duke shtuar se garimi duhet të jetë i drejtë dhe çdo votë e fituar me meritë duhet t’i takojë personit që e ka marrë atë besim.

“Përmes këtij operacioni, i cili nuk mund të cilësohet ndryshe veçse kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera ime. Përfshirja e emrit tim në skema të tilla manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin tim dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite para elektoratit”, tha ai.

“Motivin dhe qëllimin e vërtetë prapa këtij operacioni kriminal duhet ta vërtetojnë institucionet e drejtësisë. Unë jam i interesuari kryesor që të zbardhet e vërteta: pse u zgjodh emri im për këtë manipulim? Kush janë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Qendrën e Numërimit?”, ka pyetur ai.

“E vërteta është mbrojtja ime e vetme”, përfundoi Quni i LDK-së.

“Prokuroria duhet të fillojë hetimet nga kreu i KQZ-së”

Edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar lidhur me procesin e rinumërimit, duke thënë se hetimet e Prokurorisë duhet të nisin nga kreu i KQZ-së.

“KQZ-ja, nga garantuese e votës, është shndërruar në instrument të manipulimit të procesit zgjedhor. Fillimisht, KQZ-ja ka marrë vendime në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet, ndërsa tani ka ndryshuar metodologjinë e rinumërimit në mes të procesit, duke braktisur rendin sipas komunave dhe vendvotimeve dhe duke e zëvendësuar me një proces kaotik e të fragmentuar”, ka shkruar ai.

Sipas tij, “ky ndryshim arbitrar ka prodhuar devijim të qartë të trendit të rezultateve dhe ka dëmtuar rëndë besimin e kandidatëve dhe qytetarëve. Kur rinumërimi ndërpritet pa kriter, vazhdohet me komuna të tjera dhe humbet gjurmueshmëria e vendvotimeve, procesi bëhet i pabesueshëm”.

Tutje, Haxhiu ka kërkuar rikthimin e rinumërimit sipas rendit të komunave, transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale.

“KQZ-ja, në vend që të mbrojë integritetin e votës, po ndryshon rregullat gjatë rinumërimit, duke u shndërruar nga arbitër i paanshëm në palë aktive në deformimin e procesit zgjedhor. Kërkoj rikthim të menjëhershëm të rinumërimit sipas rendit të komunave, transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale”, deklaroi Haxhiu.

“Çdo votë e cenuar është një goditje ndaj demokracisë. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për të gjitha vendimet dhe veprimet që kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke filluar nga kreu i KQZ-së e deri te çdo individ që ka shkelur ligjin dhe ka manipuluar vullnetin e qytetarëve”, përfundoi ai.

Elezi: Në QNR rinumërohen rreth 74% apo 1,973 nga 2,557 vendvotime, 28 komuna përmbyllin procesin

Ndërkaq, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, tha se në QNR janë rinumëruar rreth 74% apo 1,887 nga 2,557 vendvotime dhe se 28 komuna e kanë përmbyllur procesin.

Ai theksoi se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim për rinumërim.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) e deri më tani (e martë, 27 janar 2026, ora 16:00), janë rinumëruar rreth 77% apo 1,973 nga 2,557 vendvotime”, njoftoi Elezi.

Ai sqaroi se pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të shkurtit, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa para certifikimit të zgjedhjeve.

“Shpallja e rezultatit nuk nënkupton certifikimin e zgjedhjeve, pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesa fillimisht në PZAP dhe më pas edhe në Gjykatën Supreme”, tha ai.

“Procesi i rinumërimit të votave e ka dëmtuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë”

Analisti politik, Arton Muhaxheri, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se procesi i rinumërimit ka dëmtuar rëndë procesin zgjedhor në vendin tonë.

Tutje ai ka theksuar se ky manipulim ka ndikuar edhe në klimën politike, veçanërisht brenda partive politike.

“Procesi i rinumërimit të votave e ka dëmtuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë. Janë evidentuar tjetërsime masive të votave nga një kandidat te tjetri, gjë që e cenon drejtpërdrejt besimin publik. Edhe pse rinumërimi deri më tani nuk ka ndryshuar asnjë renditje përfundimtare, vetë fakti që manipulimi ka ndodhur e vendos nën pikëpyetje legjitimitetin e Kuvendit të ardhshëm dhe e rëndon tej mase klimën politike, veçanërisht brenda partive politike”, deklaroi Muhaxheri.

“Ky “sindrom” nuk shërohet me arnime teknike, por vetëm me ndryshim rrënjësor të Ligjit për Zgjedhjet dhe me mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Sa u përket arrestimeve, përgjegjësia nuk duhet të ndalet te komisionerët në terren, por të shtrihet deri te zyrtarët e partive politike që janë pjesë e KQZ-së. Është e papranueshme të sakrifikohet hallka më e dobët, ndërkohë që organi përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve ka dështuar plotësisht në menaxhimin e procesit të 28 dhjetorit”, tha Muhaxheri për “Enigmën”.

Kujtojmë se KQZ ka njoftuar se procesi i rinumërimit është përmbyllur në 28 komuna. /Gazeta Enigma/

Related Articles