Pas takimeve të Presidentes me liderë partiakë u tha se muaji kur duhet të mbahen zgjedhjet është tetori, pasi atëherë edhe iu përfundon mandati kryetarëve të zgjedhur më 2017. Në zgjedhjet nacionale është zhvilluar një dramë me kandidatët për deputetë që kishin problem me ligjin – përfshirë këtu edhe Albin Kurti – të cilët nuk mund të garonin. Kujt i lejohet e kujt i ndalohet kandidimi në zgjedhjet lokale?
Më 22 tetor të vitit 2017 janë mbajtur zgjedhjet lokale në Kosovë. Tani, kur kanë kaluar katër vjet nga mandati i kryetarëve të komunave dhe asamblistëve të zgjedhur atëherë, do të mbahen zgjedhje të reja lokale.
Partitë politike tashmë kanë filluar t’i zyrtarizojnë kandidatët e tyre për zgjedhjet komunale, por personat që kanë probleme me ligjin në tri vitet e fundit, nuk do të certifikohen për të kandiduar në zgjedhje.
Kështu ka deklaruar për Express Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Miftaraj ka thënë se Ligji për zgjedhjet vlen edhe për kandidatët për kryetarë të komunave dhe për asamblistë, njëjtë si për kandidatët për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
“Ligji për Zgjedhjet vlen në mënyrë të barabartë dhe zbatohet përshtatshmërisht njëjtë si për kandidatët për deputetë në Kuvendin e Kosovës, ashtu edhe për kandidatët për kryetar të komunave dhe për asamblistë. Në kuptim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve të Gjykatës Supreme çdo kandidat që është i dënuar në tri vitet e fundit i kufizohet e drejta për të kandiduar në zgjedhjet lokale”, ka deklaruar Miftaraj.
Kështu thotë edhe Ligji për zgjedhjet e përgjithshme i Republikës së Kosovës, të cilit i referohet Ligji për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës.
E në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, thuhet se kandidati që është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar në gjykatë në tri vitet e fundit, nuk do të certifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo theksohet edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u rrëzua Qeveria e Avdullah Hotit.
Njëjtë pati ndodhur edhe në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të këtij viti.
Sipas nenit 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, iu ndalua kandidimi në zgjedhje kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe disa prej anëtarëve tjerë të partisë së tij.
Përveç në VV, edhe në partitë tjera pati kandidatë të cilët nuk u certifikuan për t’u futur në listat e zgjedhjeve, rrjedhimisht, ata nuk u votuan nga qytetarët në këto zgjedhje.
Cilat janë procedurat deri te shpallja e zgjedhjeve, sipas Ligjit për zgjedhjet lokale
Pas konsultimit me partitë politike, Kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale.
Zgjedhjet për organet vetëqeverisëse lokale mbahen ditën e diele për çdo katër (4) vite. Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se gjashtëdhjetë (60) ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas përfundimit të mandatit.
Sipas kompetencave të Presidentit të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi i Kryetarit për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër (4) muaj dhe jo më herët se gjashtë (6) muaj, para datës së zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave.
Vendimi për caktimin e zgjedhjeve bëhet publik në ‘Gazetën Zyrtare të Kosovës’.
Si zgjidhet kryetari i Komunës, sipas Ligjit për zgjedhjet lokale
Kandidati për Kryetar të Komunës duhet të kualifikohet sipas nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe për së paku tre (3) vite duhet të ketë qenë banor i komunës në të cilën ai apo ajo është duke garuar për t’u zgjedhur si Kryetar i Komunës.
Kandidati i subjektit të certifikuar politik për pozitë të Kryetarit të Komunës mund të certifikohet si kandidat në zgjedhje tjera siç janë ato për Kuvend të Kosovës apo Kuvend të Komunës, por do të mbajë vetëm një pozitë të zgjedhur. Nëse zgjidhet si Kryetar Komune, kandidati nuk do të këtë të drejtë të mbajë vendin në Kuvendin e Kosovës apo Kuvendin e Komunës.
Secili Kryetar i Komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit të cilët janë të regjistruar për të votuar në komunën ku mbahen zgjedhjet për Kryetar të Komunës.
Kandidati zgjidhet Kryetar i Komunës nëse ai apo ajo fiton më shumë se 50%, plus një (1) votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë.
Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50%, plus një (1) votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, KQZ-ja organizon raundin e dytë të zgjedhjeve në mes të dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet ditën e diele katër (4) javë pas raundit të parë.
Kandidati i cili fiton shumicën e votave të në rrethin e dytë zgjidhet Kryetar i Komunës.