Policia e Kosovës ka njoftuar se para pak minutash është arrestuar, Dardan Krivaqa, i dyshuar për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, raporton Gazeta “Enigma”.
Kjo u bë e ditur në protestën e sotme në Ferizaj lidhur me vrasjet e grave, nga majori i Policisë në Ferizaj, Mehmet Alihajdini.
“Ai është arrestuar në Ferizaj, para 5 minutave. Është arrestuar në territorin e Ferizajit, në një fshat”, tha Alihajdini.
Tutje ai ka njoftuar se Policia do të dalë me komunikatë për media me më shumë detaje.
Edhe Prokuroria ka dhënë më shumë detaje lidhur me arrestimin.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, , njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj, sot rreth ores 12 e 05 minuta, është arrestuari edhe personi i dytë i dyshuar (D,) në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se18-vjeçarja M.O dyshohet se u vra nga partneri i saj dhe më pas është lënë në Spitalin Rajonal të Ferizajt nga ai edhe një person tjetër i dyshuar, i cili ndodhet në pranga.
Vrasja e 18-vjeçares M.O., ditën e diel në Ferizaj ka ngjallur reagime të shumta në vend./Gazeta Enigma.