1 vit nga fitorja e madhe e Kurtit – a ‘u tretën’ premtimet e fushatës?

1 vit nga fitorja e madhe e Kurtit – a ‘u tretën’ premtimet e fushatës?

14 shkurti i vitit të kaluar, ishte viti kur Albin Kurti së bashku me ‘armatën’ e tij, pas një fushate intensive, arriti t’i fitoj mbi 50% të votave të qytetarëve, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pas një koalicioni me Listën “Guxo”, që kryesohej nga presidentja aktuale, Vjosa Osmani, Kurti për herë të dytë radhazi arriti të ulej në kolltukun e të parit të qeverisë së Kosovës.

Pak ditë pas Kurtit, edhe Osmani ‘u akomodua’ në karrigen e të parës së shtetit.

Përmirësimi i sektorit të shëndetësisë, arsimi, e zhvillimi i politikës së jashtme ishin disa nga prioritet e Kurtit e Osmanit, që si kryefjalë e kishin luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

U tha se s’do ishte prioritet dialogu me Serbinë, por përmirësimi i sektorëve të brendshëm.

“Sa më afër 14 shkurtit, aq më tepër po skuqen sheshet tona nga dashuria e qytetarëve për këtë vend. Krejt dhe drejt, kishin dalë për të shprehur përkrahjen për listën tonë. Me pjesëmarrje masive, do të sigurojmë që kjo ditë të mbahet mend si data kur ka ndodhë vala e madhe e ndryshimit të vërtetë”, kishte thënë Kurti në një nga tubimet gjatë kohës së fushatës zgjedhore.

Me premtimet e dhëna, e me situatën e krijuar në vend për rininë kosovare dhe qytetarët në përgjithësi, Kurti fitoi zgjedhjet.

“U vërtetua sot që zgjedhjet ishin referendum. Ky referendum për drejtësi e punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, kishte thënë Kurti më 14 shkurt të vitit të kaluar.

“Sot Kosova votoi për një të ardhme faqebardhë për të gjithë qytetarët e saj. Sot vota juaj, zëri juaj kumboi si kurrë më parë. E, kemi pritur të gjithë gjatë këtë ditë por sot vota juaj e solli ndryshimin aq shumë të pritur e të dëshiruar”, ishte shprehur Osmani po në këtë datë.

Qeveria “Kurti II”, u votua në Kuvend më 22 mars, ndërsa të nesërmen menjëherë pas marrjes së detyrës, Kurti mbajti edhe mbledhjen e parë të Qeverisë ku edhe paralajmëroi shkarkime.

Ndonëse kishte bërë shumë premtime, e kishte dhënë zotime të ndryshme që do ta përmirësonin jetën e qytetarëve, një vit pas, vendi ndodhet në një katrahurë të re.

Çmimet ushqimore ekstreme, nafta ‘ e pa prekshme’, pandemia në kulm, e energjia elektrike me çmime astronomike.

“Fshesa” e shkarkimeve

Muajt e parë të qeverisë “Kurti”, nisën me shkarkime, madje nga shumë u cilësua si “Qeveria e fshesave”.

Një ndër vendimet e para ishte shkarkimi i Bordit të Drejtorëve të Telekomit.

Kjo u bë me propozim të Ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdarit.

Ajo tha se ndërmarrja publike është në gjendje të rëndë financiare derisa kërkoi veprimin e
menjëhershëm të qeverisë.

“Ndërmarrja publike është në gjendje të rëndë financiare ndodhet në prag të falimentimit duke rrezikuar shërbimet, pronën publike. Si ministre përgjegjëse konstatoj veprimin e qeverisë. Shkarkohet bordi i drejtorëve i ndërmarrjes Publike të Telekomit, shfuqizohen vendimet e 29 marsit”, tha Hajdari, derisa dha edhe arsyet se pse duhet të shkarkohen.

“Nuk kanë përmbushur planin e biznesit, Qeveria ka arsye për të besuar se drejtorët kanë shkelur detyrat, Drejtorët e tashëm kanë lejuar shpenzime të tepërta. Rezoluta e Kuvendit kërkon shkarkimin e drejtorëve”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Qeveria kishte shkarkuar edhe bordin e drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”.

Sipas një njoftimi për media, ky shkarkim ka ardhur me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.Qeveria ka bërë të ditur se arsyet pse është shkarkuar bordi i kësaj ndërrmarje ka të bëjë me: 1. Shpërfillja e humbjeve të shkaktuara nga kryeshefi; 2. Mosadresimi i opinionit të Auditorit; 3. Mosadresimi i gjetjeve të auditorit të brendshëm; dhe 4. Emërimi i parregullt i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.

Me vendim të Kuvendit, gjatë qeverisjes së Kurtit, është shkarkuar edhe bordi i RTK-së.  

Dialogu i bllokuar, Asociacioni në horizont

Përkundër dhjetëra takimeve të mbajtura gjatë vitit 2021, Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë një mur të madh përpara tyre. Në anën tjetër Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut, nuk heziton që në asnjë takim publik, apo event që t’i kujtoj të dyja vendeve se e vetmja rrugë drejt këtij unioni është që të arrihet një marrëveshje përfundimtare midis dyja vendeve.

Në një përgjigje me shkrim nga BE-ja, në dhjetor, zëdhënësi i këtij misioni, Peter Stano ka ftuar të dy vendet që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura midis dyja vendeve.

“Po e theksojmë sërish se presim që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara, përfshirë marrëveshjen për vizitat zyrtare. Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja. Ne presim që palët t’i respektojnë këto udhëzime”, kishte thënë ai për Gazeta “Enigma”.

Ndërkohë Asociacioni i Komunave serbe vazhdon të jetë “mollë sherri” midis dy vendeve.

Në njërën anë qëndron Kosova, krerët qeveritar të së cilës janë shprehur se Asociacioni do të formohet duke respektuar Kushtetutën e vendit, e në anën tjetër qëndron Serbia që me ngulm e kërkon një gjë të tillë.

Ndërkohë përgjatë këtij viti dhjetëra vizita të zyrtarëve serb në Kosovë, por edhe atyre kosovar në Serbi janë ndaluar.

Disa muaj më parë, zyrtari serb, Petar Petkoviq kishte planifikuar të qëndrojë dy ditë në Kosovë për të marrë pjesë në një manifestim në Manastirin e Deçanit. Por një gjë e tillë iu ndalua.

“Kjo është hera e katërt që autoritetet në Prishtinë pengojnë vizitën e drejtorit të Zyrës për Kosovë e Metohi. Për këtë shtrohet pyetja nëse faktorët ndërkombëtarë janë të gatshëm të frenojnë Albin Kurtin në fushatën e tij destruktive kundër gjitha arritjeve të Marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë procesit të dialogut. Me çdo lëvizje që po bën, Albin Kurti na distancon nga dialogu”, thuhej në reagimin e zyrës së Petkoviqit.

Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy ditë pas, dhe qeveria e Serbisë nuk lejoi një vizitë të katër ministrave kosovarë në Luginën e Preshevës dhe vendimin për ndalim, autoritet serbe ua komunikuan autoriteteve kosovare vetëm disa orë para nisjes.

Vizita ishte parashikuar të zhvillohej nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, ministrja e Arsimi, Arbërie Nagavci dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku. Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se vizita në Luginë të Preshevës ishte planifikuar shumë kohë më parë dhe refuzimi nga ana e Beogradit ishte pa ndonjë arsye.

E njëjta gjë ndodhi edhe në muajin dhjetor kur kryediplomates kosovare, Donika Gërvallës iu ndalua hyrja në Serbi. Në të njëjtën ditë as Petkoviq, s’ishte lejuar të hyjë në Kosovë.

Për këtë reagoi BE-ja, duke ftuar organet kosovare që t’i respektojnë marrëveshjet me Serbinë, por që të njëjtën gjë s’i kërkoi edhe organeve serbe.

Raporti i Progresit apo i Regresit për Kosovën?

Bazuar në të dhënat e Raportit të Progresit për vendin për vitin 2021, shteti i Kosovës pak ka ndryshuar që nga vitit 2020.

“Kosova ka ngecur në zhvillimin e reformave që duhet t’i plotësoj me qëllim që të anëtarësohet nën ombrellën e Bashkimit Evropian’, kështu thekson Raporti i Progresit për vitin 2021 për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për këtë dy faktor kryesorë përmenden në raport.

“Zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 ishin të administruara mirë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive, por forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi fushatën zgjedhore dhe financimin e partive politike mbetet një fushë ku duhet të kryhen reforma të thella” thuhet në raport.

Bazuar në këto gjetje, Komisioni Evropian u bën thirrje institucioneve të Kosovës që t’i qasen me prioritet zbatimit të agjendës së evropiane, e cila sipas tyre është lënë anash.

“Komisioni Evropian i bën thirrje Kosovës që të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshëm me Serbinë”. Sipas Komisionit Evropian, një marrëveshje e tillë me Serbinë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugëtimin e tyre evropian.

Suksesi në luftimin e korrupsionit


Një sukses që u shënua nga ndërkombëtarët, ishte luftimi i korrupsionit, që Kosova kishte shënuar gjatë vitit të fundit.

Në këtë fillim vit, Kosova Kosova ka shënuar ngritje në vitin 2021 për 17 vende nga viti paraprak 2020. Në 2021, Kosova renditet në vendin e 87-të.

Që nga viti 2012 kur Kosova përfshihet në këtë indeks, renditjen më të mirë e ka pasur në vitin 2017, kur ishte renditur në vendin e 85-të nga 180 shtete të botës.

2013-ta ka shënuar renditjen më të keqe për Kosovën, duke u renditur në vendin e 111-të nga 180 shtete që përfshihen në raportet e Transparancy International.

Në vitin 2020 ishte renditur në vendin e 104-të, në 2019-ën në vendin e 101-të, në vitin 2018 në vendin e 93-të, në vitin 2017-të në vendin e 85-të, ndërkaq në vitin 2016 në vendin e e 95-të.

Kriza energjetike, çmimet ekstreme

Viti që lamë pas e sjelli një situatë të re në vend.

Kriza energjetike që kaploi botën së fundmi, arriti edhe në Kosovë.

Duke shënuar të arriturat vjetore, në dhjetor të vitit të kaliar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po përfundon një vit përplot sfida, por që nuk do të heqin dorë nga ndryshimi që tashmë kanë filluar.

Kurti ka thënë se ai nuk harron arsyen e rrugëtimit të tij.

“Po përfundon një vit i sfidushëm, pandemia ka rënduar mbi supet e secilit prej nesh e derisa mbyllim këtë vit me shumë arritje në shumë sektor, kujtojmë se për shumë qytetarë që me dekada janë harruar nga politika jeta mbetet ende e vështirë. Prandaj, nuk harrojmë arsyen përse jemi këtu, nuk harrojmë arsyen e rrugëtimit, për të hapur një dekade të re të qeverisjes. Nëse punojmë me dije e me qëllime të mira nuk ka sukses që nuk e arrijmë”, ka pohuar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kurti ka thënë se ndodhën në një krizë energjetike, por që po bëjnë të gjitha që të dalin më sa më pak humbje.

“Ata që për dështimet e tyre kërkojnë llogari nga ne, duhet ta shohin vetën në pasqyre”, deklaroi ai.

Ndërkohë nuk vonoi shumë, dhe me të filluar viti 2022, një ‘dhuratë’ tjetër erdhi për qytetarët kosovar.

Ashtu sic edhe pritej, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë miratoi tarifat e reja për energji elektrike.

Departamenti për Tarifa në ZRRE ka thënë se rritjen e çmimit në fatura do të vërejnë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.

Fillimisht ky institucion kishte propozuar rritje për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat për orë në muaj.

“Të gjithë konsumatorët komercialë dhe konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë do të kenë zero rritje”, është thënë në takim, duke përmendur se rreth 20 për qind e konsumatorëve e tejkalojnë këtë konsum.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me 9 shkurt dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00.

Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Analistët: “Premtime popullsite që quan në dështimin e Kurtit si kryeministër”

Vetëm suksesi në vaksinimin e qytetarëve, po numërohet si e arritur e Qeverisë “Kurti”.

Sipas, analistit Arton Demhasaj, Kurti dhe kabineti i tij nuk kanë realizuar asnjë premtim tjetër të dhënë në fushatën zgjedhore.

“Ajo çka është premtuar edhe u realizua ka të bëjë me procesin e vaksinimit, pra edhe në plan program qeveritar edhe në atë të partisë është përmend që ka me pas 60% të vaksinimit. Mendoj që këtë kanë arrit me ia dalë, pra Kosova është vendi ndoshta më së miri që qëndron sa i përket çështjes së vaksinimit, por premtimet tjera kanë mbet pa u realizuar”, ka thënë Demhasaj.

Ai thotë se ajo që mund të veçohet është edhe reforma në drejtësi që lidhet me procesin e vetingut, porse sipas tij ka stagnim në fushat e tjera.

“Në anën tjetër qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik apo të punësimit e çështje të tjera pak a shumë situate është e njëjtë ashtu siç ka qenë edhe para 14 shkurtit. Pra, për një vit qeverisje nuk është që ka diçka të veçantë që mundemi me përmend përpos reformës në drejtësi që e përmenda. Është premtua që ka me pas zhvillim ekonomik që ka me pas hapje të vendeve të punës, janë premtua shumë sene që nuk janë realizua pra po flasim për gati thuajse një vit të qeverisjes”, ka thënë ai.  / Gazeta Enigma.

Related Articles