100 ditëshi i Qeverisë “Kurti”: Opozita e cilëson si qeverisje e ngathët dhe jo progresive

100 ditëshi i Qeverisë “Kurti”: Opozita e cilëson si qeverisje e ngathët dhe jo progresive

Më 22 mars të këtij viti, kryeministri Albin Kurti, me mbështetjen e 67 votave të deputetëve të sapo zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, ishte ulur në karrigen e të parit të qeverisë, për të dytën herë radhazi, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pas zgjedhjes në postin e kryeministrit, Kurti fitoren e tij e kishte cilësuar si historike, duke theksuar se pritjet e qytetarëve janë të mëdha, andaj sipas tij, edhe përgjegjësia e kabinetit qeverisës është e madhe.

“S’ka dyshim se këto zgjedhje ishin historike, po aq historike është edhe përgjegjësia”, kishte thënë Kurti.

E pas shumë pengesash që i dolën gjatë rrugës në mandatin e parë, Kurti si kryeministër i vendit i bënë 100 ditë, të mërkurën më 30 qershor.

Qeverinë e Kurtit, të cilën atëkohë e patën mbështetur edhe deputetët e komuniteteve jo serbe, në 100 ditëshin e saj po e kritikojnë partitë opozitare.
Madje sipas tyre Qeveria aktuale zhgënjeu edhe skeptikët më të mëdhenj, shkruan tutje Gazeta “Enigma”. Deputet nga opozita thonë se kabineti ekzekutiv ka dështuar në shumë aspekte, përfshirë këtu mos mbështetjen adekuate të bizneseve gjatë pandemisë, mos përfaqësimin e denjë të vendit në dialog me Serbinë, si dhe mos miratimin e ligjeve që ishin premtuar në fushatë.

Rruga e Kurtit në pushtet

Që prej kur mori detyrën si kryeministër, 17 mbledhje qeveritare u udhëhoqën nga Kurti.

Në mbledhjen e 11, Qeveria miratoi programin qeverisës dhe agjendën legjislative, derisa ende nuk e ka miratuar planin e punës.

Ndonëse kishte premtuar se dialogu nuk do të jetë fokus i tij, përgjatë 100 ditëshit, pikërisht tema e dialogut, ishte tema së cilës iu kushtua vëmendje nga kabineti qeveritar. Kryeministri Kurti u takua për herë të parë me presidentin serb Vuçiq më 15 qershor, paraprakisht kishte refuzuar një takim të tillë më 11 maj. Gjatë këtyre ditëve, i pari i qeverisë, aktiv ishte edhe në vizitat zyrtare jashtë vendit.

Për dallim prej të kaluarës, Kurti vizitën e parë e bëri në Bruksel gjatë fundit të muajit prill, derisa pak ditë më vonë, ia mësyu sërish kryeqendrës evropiane për një darkë joformale me liderët rajonalë. Takim rajonal me këta të fundit, kryeministri Kurti zhvilloi gjatë samitit të Tiranës dhe Vjenës në muajin qershor.

Teksa së fundmi u prit me ceremoni shtetërore nga presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Përgjatë 100 ditëshit, ashtu siç kishte premtuar kreu i Qeverisë, shkarkoi e emëroi emra të njohur në skenën politike, të cilët ishin pjesë e bordeve e ndërmarrjeve publike. Tash së fundmi po tentohet të shkarkohet edhe bordi i Radio Televizionit të Kosovës, ndonëse një veprim i tillë ende nuk ka ndodhur, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Vetingu në anën tjetër, një proces i cili ishte fokus i fushatës së kabinetit të Kurtit, tashmë ka nisur si proces, dhe pritet të konkretizohet ditëve në vijim.

Qeveria Kurti së fundi miratoi rishikimin e buxhetit për vitin 2021, si dhe siguroi kontratën me Kompaninë e vaksinave Pfizër, kontingjenti i pari prej së cilëss arriti në Kosovë të hënën, më 28 qershor.

PDK: Demagogji e lojë politike e Kurtit përgjatë 100 ditëshit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala,i pyetur për 100 ditëshin e Qeverisë “Kurti”, për Gazetën “Enigma”, ka theksuar se përgjatë kësaj periudhe asnjë sukses i vetëm nuk është shënuar nga qeveria. “Pritjet tona nuk kanë qenë tjetër përveç këtyre që i shohim, sepse edhe më herët i kemi parë, e kemi provuar këtë qeveri dhe i kemi njohur atë pjesën propagandistike dhe retorikën e thatë në programin e qeverisë, dhe në këtë relacion ne jemi jashtëzakonisht të vetëdijshëm, që pritjet kanë qenë të tilla dhe asnjë nga pikat në program nuk janë realizuar deri më sot”, ka thënë ai.

Sipas tij asnjë nisëm serioze ligjore nuk është marrë nga ana e Qeverisë, përkundër shkarkimeve që janë bërë kundrejt bordeve të ndryshme, e ndërmarrjeve publike.

“Asnjë nismë ligjore, asnjë veprim konkret përveç shkarkimeve të bordeve dhe emërimeve të familjarëve të tyre. Në këtë relacion ne nuk presim as në të ardhmen, sepse nuk kemi asnjë veprim konkret nga ana e tyre. Veçanërisht tek mbështetja e bizneseve ka dështuar totalisht, për shkak të mos realizimit të skemave mbështetëse dhe mos zbatimit të ligjit për rimëkëmbje ekonomike”, tha tutje ai për Gazetën “Enigma”.

“Në këtë kohë mos vaksinimi i popullatës, dhe mos përgatitje për pritjen e mërgatës është një sfidë tjetër, dhe po mbulohet me promovimin e mbulesës së kartonit të gjelbër në kufi. Pra përveç lojës politike, në kuptimin ekonomik nuk kemi asgjë konkrete”, shtoi tutje ai.

Sipas deputetit të PDK-së, Kurti ka dështuar edhe në paraqitjet e tija në Bruksel. “Nëse dalim në arenën politike, asnjë vendim politik nuk i ka sjellë rezultat konkret Kosovës përveç lojërave dhe demagogjive politike që i bënë në konferenca shtypi duke krijuar skandale të një pas njëshme, coftë nga kryediplomatja Gërvalla, çoftë nga Kryeministri Kurti në Bruksel”, ka potencuar Shala.  

Performanca hibride e Qeverisë “Kurti”

Në anën tjetër analisti Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i vlerëson hibride 100 ditët e qeverisjes Kurti.

“Kemi parë një performancë hibride edhe nga kjo qeveri. Në kuptimin se ka pasur në disa fusha përparim dhe në disa fusha edhe ngecje. Vlen të përmendet që kemi parë një agjendë ambicioze legjislative me mbi 190 projektligje të parapara. Disa janë dërguar në këtë periudhë, disa jo. Një iniciativë më mirë dhe pozitive është parë në fushën e sundimit të ligjit tek iniciativa për veting dhe ligji për konfiskimin e pasurisë. Ani pse në këtë drejtim ka pasur një tërheqje apo një stepje prapa. Por procesi po shkon mirë. Kemi parë edhe tek pandemia një rezultat miks, ka pasur një lojë ping-pongu mes ministrit të kaluar dhe ministrit Vitia dhe një ambiguitet në menaxhimin e pandemisë, sigurimin e vaksinave dhe të tjera. Pastaj gradualisht kemi pasur një përmirësim të gjendjes edhe në menaxhimin e Covdi 19”, ka thënë ai.

Sipas tij 100 ditëshi i Qeverisë Kurti është dominuar nga politika e jashtme, konkretisht dialogu me Serbinë. Ai e vlerëson si të mirë rolin e Qeverisë në këtë proces.

“Në përgjithësi edhe ky 100 ditësh është dominuar nga disa ndikime të politikës së jashtme që kanë dominuar edhe politikën e brendshme, siç është dialogu Kosovë-Serbi. Ndonëse në fillim u trajtua si një prioritet i 5-6, por gradualisht është intensifikuar edhe prezenca e qeverisë në drejtim të dialogut dhe pjesëmarrja në takime të ndryshme. Kjo është një hap pozitiv, pavarësisht deklarimeve në fillim sepse kemi pa një paraqitje më të mirë në dialog, në kuptimin e shkuarjes në takime, përgatitjes dhe tentimit për të përafruar spektrin politik”, ka shtuar ai.

Kurse, analisti Blerim Burjani për Gazetën “Enigma”, ka theksuar se depolitizimi i shërbimit diplomatik ka qenë fokusi kryesor i Kurtit përgjatë 100 ditëshit.  

VV-ja në 100 ditëshin e parë është marr me depolitizim të shërbimit diplomatik. Ka shkarkuar 12 ambasador, përderisa ka edhe të tjerë të cilët thirren shërbyes diplomatik apo punëtor të MPJ të cilët po ashtu janë partiak, pra kjo reformë është mbetur në gjysmë, dhe ka shumë për të bërë për ta depolitizuar dhe reformuar këtë shërbim, duke përshi këtu edhe stafin  civil të ambasadave që ka shume familjar dhe partiak e partive PDK,LDK,AKR , pra ky shërbim është skandaloz”, ka thënë ai.

Ndërkohë përfaqësimi i Kosovës në dialog nga ana e kryeministrit Kurti, sipas tij është bërë pa dokument e platformë shtetërore.


Kurti: Në pesë muajt e fundit janë rritur të hyrat buxhetore për 30 për qind

Ndërkohë një vlerësim të punës së tij në 100 ditëshin e parë, kryeministri Albin Kurti e ka bërë gjatë hapjes së Samitit dyditor të Arsimit dhe Aftësimit në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.

Nga atje Kurti ka thënë se arsimi dhe aftësimi profesional e mban çelësin e progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, shtimit të vendeve të punës, krijimit të pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë.

Ai tha se gjatë pesëmujorit të fundit situata ekonomike në Kosovë është përmirësuar dukshëm. Sipas tij aktiviteti ekonomik është shtuar për 15%, eksportet janë rritur për 66%, e po ashtu janë rritur edhe për 30% të hyrat buxhetore. “Kjo tregon se si ka eksternalitete pozitive në ekonomi, kur kemi proces dhe rezultat demokratik në zgjedhje. Perspektiva ekonomike pra na bën optimist për të ardhmen. Rritja ekonomike sivjet shkon në 7.9% të Bruto Produktit Vendor. Këtë tani duhet ta ndjekim edhe me implementimin e Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional që e luan një rol vendimtar në plotësimin e hendekut të shkathtësive. Tek ne jo vetëm që e kemi papunësinë e lartë, por fatkeqësisht edhe një pjesë e mirë e atyre që janë të punësuar, këtë nuk e kryejnë në profesionin e tyre për çfarë e kanë kryer shkollimin e lartë apo edhe të mesëm. Arsimi dhe Aftësimi Profesional e mbanë çelësin e progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, shtimit të vendeve të punës, krijimit të pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë”, ka shkruar ai./Gazeta “Enigma”.

Related Articles