Në Kosovë importi i energjisë elektrike gjatë muajit nëntor ka kushtuar rreth 10 milionë euro apo mbi 7 milionë euro më shumë krahasuar me vitin paraprak të të njëjtës muaj.
Kjo pasi që kostoja e energjisë elektrike është rritur për shkak të rritjes së çmimeve të saj në tregun ndërkombëtar përtej çdo parashikimi.
Këtë e ka bërë të ditur Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), përmes një komunikate për media duke potencuar se thirrjet për kursim po bëhen me qëllim që t’u lehtësoht barra financiare për qytetarët e Kosovës në pagesë të rrymës elektrike.
“Rritja e shpejtë e çmimeve të importit në këtë nivel ishte e paparashikueshme nga të gjithë politik-bërësit. Kjo shumë e lartë as për së afërmi nuk është paraparë nga askush, brenda dhe jashtë kufijve, dhe ka ardhur si pasojë e shumë faktorëve, kontrolli i të cilëve është jashtë vullnetit dhe ndikimit tonë”, thuhet në kumtesën e KEDS.
KEDS, ka bërë të ditur gjithashtu se me rënien e temperaturave nën zero, kërkesa do të jetë edhe më e madhe për import të energjisë.
“Trendet e çmimeve sidomos në kohë të pikut, janë duke u rritur. Prandaj, që sistemi të jetë në gjendje të përballojë ngarkesat nga faktorë të shumtë, qofshin ato për shkak të çmimeve të papërballueshme, ose nga konsumi i lartë i energjisë elektrike, kërkohet vëmendja dhe bashkëpunimi i të gjithëve”, përfundon kumtesa.