PSD fton në takim partitë opozitare për çmimin e rrymës

PSD fton në takim partitë opozitare për çmimin e rrymës

Partia Socialdemokrate ka ftuar në takim partitë opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të sindikatave, që bashkërisht ta kundërshtojnë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.



Molliqaj ka shkruar se nga e mërkura do t’i ftojë në takim përfaqësuesit e partive opozitare parlamentar e joparlamentare, për të diskutuar rreth një kundërpërgjigjeje të përbashkët për shtrenjtimin e rrymës.

Kreu i PSD-së ka deklaruar se për hapat e kundërshtimit do të vendoset në takimin e së premtes.

“Nga nesër do t’i ftojmë në një takim për të premten të gjitha partitë parlamentare e joparlametare opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave të ndryshme dhe të gjithë ata persona publik e jopublik që janë të interesuar që bashkërisht ta kundërshtojnë vendimin e rritjes së çmimit të rrymës. Bashkërisht, do të vendosim për hapat dhe mënyrën e kundërshtimit”, ka shkruar Molliqaj.

Ndryshe, ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Sipas Krasniqit ky vendim për shtrenjtimin e çmimit të energjisë, u mor në koordinim të plotë dhe me bekimin e kryeministrit Albin Kurti.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti se duke pasqyruar grafikat e tarifave të reja të energjisë elektrike kanë fshehur të vërtetën. LDK ka kërkuar që vendimi i ZRRE-së dhe i Qeverisë të shfuqizohet sa më parë, pasi është diskriminues për qytetarët.

Në reagimin e LDK-së thuhet se “propaganda është mjet i këtij pushteti të paaftë. Rritja rekorde e çmimeve të energjisë, si në asnjë vend tjetër në rajon e më gjerë, u provua të shpërfaqej si një rritje e lehtë”.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka sfiduar Qeverinë Kurti duke publikuar një çmimore të re të faturës së rrymës pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ta shtrenjtuar atë.

 “Duhet ta kenë të qartë qytetarët se do të paguajnë edhe faturën që iu vjen në derë, por do të paguajnë edhe subvencionin e Qeverisë, pasi paguhet nga taksat tona. Albin Kurti nuk po e paguan diferencën me paratë e veta, por me paratë e qytetarëve”, ka njoftuar ai. /Gazeta Enigma/.

Related Articles