Si u “kap” RTK-ja nga VV e cila dikur bënte thirrje për “ç’kapje”

Si u “kap” RTK-ja nga VV e cila dikur bënte thirrje për “ç’kapje”

Emërimi i Rilind Gërvallës si drejtor i Radio Televizionit të Kosovës, ka ngjallur reagime të shumta si brenda edhe jashtë vendit, shkruan Gazeta Enigma.



Ky vendim i fundit u dënua ashpër edhe nga Qendra Evropiane për Shtypin dhe Liri të Mediave, duke e potencuar në mënyrë të qartë që ai është aktivist i partisë në pushtet.

“Neve na vjen keq për vendimin e bordit të RTK-së për të zgjedhur Rilind Gërvallën si drejtor të televizionit. Z. Gërvalla është aktivist i partisë në pushtet. Emërimi i tij shkatërron përpjekjet e bordit, që e kishte mbështetjen tonë të plotë, për të depolitizuar transmetuesin publik.”

Si vlerësohet një veprim i tillë nga analistët politik?

Politologu Fidan Ukaj në një prononcim për Gazetën Enigma, tha se njëra nga kauzat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë luftimi i depolitizimit të institucioneve publike duke e përfshirë edhe mediumin publik (RTK), ku të njejtit sipas tij po e vazhdojnë sikurse Qeveritë e kaluara.

Fidan Ukaj, politolog

“Një nga kauzat e LVV-së për të ardhur në pushtet ishte edhe depolitizimi i institucioneve publike, përfshirë edhe mediumin publik, duke i kritikuar me të drejt pozitën e at’hershme se e kan kapur mediumin publik dhe sipas tyre ky medium është shëndrruar në medium të pushtetit.Sot këta kritikues të djeshëm po e vazhdojnë të njejtën praktik”, thaksoi Ukaj.

Analisti theksoi se Qeveria në pushtet po i vazhdon praktikat e njejta duke i “ozurpuar” institucionet e shtetit e duke emëruar militant partiak.

“Kjo Qeveri po i vazhdon praktikat e njejta, me kapje të institucioneve të shtetit, duke emëruar dhe mbushur instituconet me militant partiak, duke përfshirë tash së fundmi edhe RTK-në dhe kjo praktik vetëm sa do ta degradojë këtë institucion që paguhet nga taksat e qytetarëve e do t’i shërbej një grupi të individëve”, përfundoi Ukaj.

Reagime të shumta pati edhe nga opozita, PDK e ka quajtur drejtorin e porsazgjedhur militant të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në vazhdën e kapjes së secilit institucion të pavarur në Kosovë, kryeministri Albin Kurti në koordinim të ngushtë me partneren e tij, presidenten Vjosa Osmani, tash e disa muaj kanë nisur instalimin e militantëve të tyre në Radio Televizionin Publik të Kosovës”.

PDK-ja ka vlerësuar se kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë.

Ndërkohë, LDK-ja ka dalë me një reagim publik duke deklaruar se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip të RTK-së, përbën kapje të plotë të transmetuesit publik.

LDK-ja ka kërkuar që procesi i përzgjedhjes për drejtor të RTK-së për kanalet shqip të anulohet menjëherë.

Sipas LDK-së, qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur.

“Kapja politike e tij është veçse vazhdimësi e politikave të këqija që kanë karakterizuar këtë institucion publik. Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë dhe do të ngrisë temën e kapjes së institucionit të televizionit publik, në Komisionin përkatës parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të reagimit.

LDK-ja ka paralajmëruar se do ta ngre temën e kapjes së institucionit të televizionit publik në Komisionin përkatës parlamentar të Kuvendit.

Gjithashtu edhe PSD ka reaguar rreth këtij vendimi, ku lajmet Qendrore në RTK, janë penguar përmes një proteste me pankarta në duar.

Nol Nushi, aktivisti i PSD-së u paraqit me një pankartë në duar në të cilën shkruhej ‘ RadioTelevizioni i Kurtit’.

Ndaj këtij emërimi ka pasur edhe reagime tjera nga shoqëria civile, përfshirë juristen e medies Flutura Kusarin.

Rilind Gërvalla ishte evidentuar se kishte marrë pjesë edhe në shumë aktivitete të partisë në pushtet, por edhe kishte dhënë donacione për këtë parti politike.

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës njoftoi emërimin e Rilind Gërvallës në krye të këtij institucioni. Gërvalla mori 8 vota pro dhe asnjë kundër në procesin e votimit nga ky bord.

“Bordi i RTK-së me 8 vota pro dhe asnjë kundër, ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për emërimin e z. Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të kanalit shqip të RTK-së (RTK1, 3, 4). Në mbledhjen e sotme u diskutua edhe për zhvillime të tjera në RTK.” – thuhet në njoftim./GAZETAENIGMA/

Related Articles