Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Abelard Tahiri ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Tahiri në reagimin e bërë në Facebook ka thënë se pushteti aktual sot ka marrë goditjen meritore nga Gjykata Kushtetuese.
“Përpjekja e pushtetit aktual për shkatërrimin e institucioneve të pavarura, në mënyrë që t’i konvertojnë ato në instrumente politike në shërbim të tyre dhe familjarëve të tyre, sot ka marrë goditjen meritore nga Gjykata Kushtetuese.
Afër gjashtë muaj më parë, ne paralajmëruam mazhorancën e Kuvendit se shkarkimi i jashtëligjshëm i pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ishte kundër kushtetues, si dhe një përpjekje e hapur për të ndërhyrë politikisht në mënyrë brutale, në një institucion të pavarur e të bazuar shumë qartë në ligj”, thotë ai.
Më tej, deputeti ka thënë se është shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Si deputet iniciues, jam shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me këtë shkarkim të paligjshëm, duke prishur kalkulimin e këtij pushteti që s’pyet për parime dhe ligjshmëri. E ritheksoj se, kjo është një fitore e të drejtës mbi padrejtësinë, e meritës mbi arrogancën. Fitore e demokracisë si vlerë mbi keqpërdorimin në emër të saj”, ka pohuar ai.
Tahiri ndër të tjera ka shkruar se institucioni i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, është aty për të mbrojtur nëpunësit civil dhe të drejtat e tyre.
“Ai, siç çdo institucion tjetër i pavarur e kushtetues, nuk mund dhe s’do të lejojmë të shndërrohet në mjet të pushtetit për shantazh ndaj nëpunësve publik në Republikën e Kosovës.
Si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e pa lëkundur në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjit”, vijon reagimi i Tahirit.
Ndryshe, sot Gjykata Kushtetuesja ka shfuqizuar vendimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Në njoftimin për media thuhet se Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e 10 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe, sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në momentin kur ka vendosur për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në qershor të këtij viti.