Gjykata Kushtetuese: Kuvendi e ka shkelur Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese: Kuvendi e ka shkelur Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në momentin kur ka vendosur për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në qershor të këtij viti.



Më 30 qershor 2021, Kuvendi votoi për shkarkimin e pesë anëtarëve të këtij Këshilli.

Ndaj vendimit ishte ankuar Partia Demokratike e Kosovës.

Në një njoftim të lëshuar për media, Kushtetuesja ka treguar se e kanë cilësuar të pranueshme kërkesën e parashtruar nga deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri dhe dhjetë deputetë të tjerë.

Sipas Kushtetueses, ndërprerja e mandatit të anëtarëve të Këshillit nuk mund të bëhet vetëm për shkak të “vendimmarrjes”.

Shkarkimi i anëtarëve të KPMSHCK-së pati ardhur pak ditë pasi në Komisionin për Administratë Publike qe votuar kundër miratimit të raportit vjetor të Këshillit për vitin 2020. Më 15 qershor, ky komision rekomandoi shkarkimin. E shkarkimi erdhi 15 ditë më pas me 62 vota pro, tri kundër e 11 abstenime./Gazeta Enigma/

Related Articles