Stinori vjeshtor në BKT Superligën e Kosovës në futboll ka ulur siparin me ndeshjet e xhiros së 18-të, të cilat u zhvilluan në vikendin që lëmë pas. Njohësit e rrethanave në futbollin vendor e kanë cilësuar këtë gjysmësezonë me përparime të dukshme në cilësi dhe standarde të reja, por jo edhe në infrastrukturë, e cila vazhdon të mbetet një dobësi e madhe për futbollin kosovar.
Shkruan: Xhemail VESELI
Instalimi i sistemit VAR dhe konkurenca ndërmjet skuadrave në këtë pjesë të parë të kampionatit po cilësohet si diçka tejet pozitive.
Befasia e këtij edicioni vlerësohet pamundësia e realizimit të objektivave nga disa ekipeve, ndërsa fundi i sezonit vjeshtor, cilësohet të ketë nxjerrë në pah forcën reale të skuadrave që luftojnë për pjesën e epërme si dhe atyre që do të luftojnë në pranverë për ekzistencë në Superligë.
Sipas trajnerit Gani Sejdiu, gara ka qenë e fortë dhe rivalizuese, ndërsa disa rezultatet të fazës së parë kanë qenë “befasuese”. Sipas tij u qartësuan në fazën e dytë, gjegjësisht në fund të stinorit, pasi ekipet u pozicionuan nëpër pozitat ku realisht përkasin.
“Asnjëra nga ekipet nuk e kishte kontinuitetin e duhur me rezultate, ndoshta për shkak të barazpeshës së cilësisë mes vete, për ç’gjë edhe përfundimi i gjysmës së edicionit është shumë i ngushtë sa i përket dallimit në pikë, si në garë për titull, ashtu edhe në garë për mbijetesë, ndërsa pasqyra e gjendjes në tabelë është reale, bazuar në cilësitë e tyre. Ekipi që nuk i ka përmbushur pritshmëritë, për mua ka qenë FC Prishtina, e cila, edhe pse ka akoma gjasa për titull, mendoj se ka mbetur shumë prapa konkurrentëve të saj”, tha ai për Gazeta Enigma.
Sipas Sejdiut, fakti që secila skuadër ka dëshmuar se mund të fitoj ndaj secilit rival, ka qenë tejet pozitive për futbollin tonë, pasi ky fakt është tregues i qartë për një shpërdarje të cilësisë nëpër skuadra këtë kampionat, që e bënë garën më të paparashikueshme dhe me plotë befasi. Ndërsa shqetësuese ka thënë se mbetet infrastruktura, e në anën tjetër instalimi i VAR-it sipas tij është konstatuar të ketë qenë ndihmesë e rëndësishme për mbarëvajtje të garave.
“Ajo që për mua është shqetësuese, dhe e cila e penalizon këtë nivel është infrastruktura së cilës duhet t’i kushtohet shumë më shumë rëndësi, pasi terrenet ku zhvillohen ndeshjet kampionale janë në gjendje alarmante, përveç stadiumit “Fadil Vokrri” të Prishtinës”, shtoi Sejdiu.
Sipas trajnerit Sami Sermaxhaj, risi këtë edicion të garave ka qenë instalimi i VAR-it në Superligën e Kosovës, i cili ka bërë që të minimizohen gabimet e referëve.
“Kjo është një e arritur shumë e madhe për futbollin e Kosovës për arsye se kemi pasur debate të shumta lidhur me vendimet e gjyqtarëve, kështu që tani ato janë minimizuar, ndërsa investimi në infrastrukturë lë për të deshiruar edhe pse federata ka ndihmuar klubet, sidomos në terrene stërvitore. Kurse sa i përket investimeve në stadiumet garuese, kjo lë shumë për të dëshiruar pasi nuk është në raport të drejtë me investimet e bëra në lojtar”, tha ai.
Ky sistem aktual i garave në Superligë, sipas Sermaxhaj ka ngritur konkurrencën ndërsa i ka ndarë skuadrat në dy pjesë, ato që luftojnë për titull dhe skuadrat që luftojnë për ekzistencë.
“Sa i përket garës, mendoj që sistemi me dhjetë ekipe ka bërë që ajo të jetë shumë e luftuar. Kemi pesë ekipe, Drita, Gjilani, Ballkani, Prishtina e Llapi, që luftojnë për dalje në europë, ose për të fituar titullin, dhe mendoj që pesë ekipet tjera, të cilat edhe me financa edhe me grup të lojtarëve janë më pak të komponuara, Drenica, Malisheva, Dukagjini, Ulpiana dhe Feronikeli, do të luftojnë deri në fund për të siguruar mbijetesën”, ka shtuar Sermaxhaj.
Ndërkaq edicioni 2021/2022 është vlerësuar me luhatje të formës te të gjitha skuadrat nga trajneri Granit Begolli, i cili potencoi se Superliga e Kosovës nuk e ka pasur një ekip bindës që u vecua sa i përket formës gjatë këtij edicioni vjeshtor, ngase ka pasur shumë luhatje në formën e të gjitha skuadrave.
“Ka qenë e parashikuar nga të gjithë që do ekipet do të ndahen në këtë pikë të kampionatit ku jemi, në fund të sezonit vjeshtor. Skuadrat që janë mirë të organizara qëndrojnë lart në tabelë, ndërsa ato që kanë pasur problem të natyrave të ndryshme janë në pjesën e skuadrave që rrezikojnë elitën e futbollit Kosovar”, nënvizoi për Gazeta “Enigma” trajneri Begolli.
Sipas tij ka pasur disa skuadra tek të cilat pritshmëritë kanë qenë më të mëdha, ndërsa ka thënë se lufta për titull do të jetë mjaft interesante deri në fund të kampionatit.
“Ka befasuar për të keq forma e dobët e Prishtinës dhe ajo e Ferronikelit, dy skuadrave që kanë fituar tituj edicioneve të meparshme në futbollin tonë. Në pranverë pritet një kampionat shumë interesant, me katër skuadrat e para që do të luftojnë për titull, dhe ajo skuadër që do të arrij të menaxhoj më mirë aspektin psikologjik do të jetë në avantazh ndaj të tjerave, në luftë për titull në fund të kampionatit”, përfundoi Begolli në prononcim e tij për Gazeta “Enigma”, duke i bërë një analizë rrjedhës së edicionit vjeshtor të ligës elite të futbollit të Kosovës.
Stinori pranveror në BKT Superligën e Kosovës pritet të rifillojë më 5 shkurt me ndeshjet e çerekfinales së Kupës.
/Gazeta Enigma/