Ku qëndron Kosova në sytë e BE-së, Shasha thekson mesazhet kryesore nga KE

Ku qëndron Kosova në sytë e BE-së, Shasha thekson mesazhet kryesore nga KE

Në javën që po lëmë pas, Këshilli Evropian ka publikuar raportin për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit, ku ndër të tjera theksohet se KE inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare, shkruan Gazeta “Enigma”.

Lidhur me konkluzionet e raportit, pritshmëritë nga Kosova, dhe rrugën që duhet të ndjek qeveria aktuale drejt rrugës euroatlantike, ka folur në një intervistë për Gazetën “Enigma, Drejtori Ekzekutiv i institutit “EPIK”, Demush Shasha.

Sipas tij në raport theksohet vullneti që qeveria aktuale e Kosovës, ka nisur drejt zbatimit të reformave evropiane, që BE i kërkon nga Kosova

“Sa i përket Kosovës, konkluzionet kanë mirëpritur vullnetin e qeverisë së re në Kosovës për intensifikimin e reformave evropiane, dhe në këtë drejtim kanë bërë ftesë institucioneve të reja të vënë gjithë vëmendjen drejt zbatimit të obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja Stabilizim Asocimi (MSA) dhe Agjenda Evropiane e Reformave (ERA)”, ka thënë Shasha.

Në konkluzionet e KE-së, sipas Shashës, përmendet edhe puna e Gjykatës Speciale.

“Konkluzionet kanë vlerësuar lartë zgjedhjet e 14 shkurtit, por nga ana tjetër kanë bërë thirrje për zbatimin e rekomandimeve të misionit observues të BE-së për reformën zgjedhore. Po ashtu, konkluzionet kanë përshëndetur punën e Gjykatës Speciale dhe kanë nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës me gjykatën dhe EULEX-in”, ka thënë tutje ai. .

Sa i përket dialogut, konkluzionet kanë përsëritur se progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve është kyç për avancimin e rrugës evropiane të Kosovës.

Raporti i KE



“Këshilli përsërit pritshmërinë e tij të fortë që të gjitha marrëveshjet e kaluara të respektohen dhe zbatohen pa vonesë. Të dyja palët duhet gjithashtu të shmangin veprimet që minojnë stabilitetin dhe retorikën që nuk është e favorshme për dialogun”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Vizat askund – KE s’jep sinjale pozitive

Në dokumentin e KE-së, të publikuar të mërkurën ndër të tjera thuhet se liberalizimi i vizave për Kosovën do të shqyrtohet nga Këshilli, duke shkruar se “Këshilli njeh rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”.

“Komisioni bëri një propozim zyrtar në maj 2016 për transferimin e Kosovës në listën pa viza Shengen dhe paraqiti një raport në korrik 2018 për përmbushjen e standardeve të mbetura. Propozimi i Komisionit, i mbështetur nga Parlamenti Evropian në leximin e tij të parë në mars 2019, mbetet në shqyrtim në Këshill”, thuhet tutje në raport.

Por, sipas Shashës një gjë e tillë është përsëritur vit pas viti në raportin e KE-së, andaj edhe nuk paraqet një sinjal pozitiv për këtë proces.

“Kjo fjali identike përsëritet nga viti në vit në konkluzionet e Këshillit dhe rrjedhimisht nuk duhet parë si asnjë indikacion pozitiv”, potencoi ai.

Sipas tij “Sa i përket procesit liberalizimit vizave, Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike. Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit i cili i ka kushtuar qytetarëve te Kosovës tani pothuaj pesë  vite izolim. Në vitin 2016, BE-ja hapi derën Kosovës që të jetë pjesë Zonës Shengen, por skena politike e Kosovës refuzoj këtë ofertë duke mbajtur kështu qytetaret e Kosovës të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtën e lëvizjes së lirë”.

Ndërkohë, sipas tij Kosova dështoj të ndërtoj një sistem të pavarur të drejtësisë i cili do ishte në gjendje të shënoj progres në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Dialogu, si faktor kyç për stagnimin e proceseve euroatlantike

“Rrjedhimisht, sot jemi me një mjedis kompleks ku janë së paku pesë faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Shasha duke e përmendur edhe Pandeminë COVID-19, si një faktor që e shtyu tutje këtë proces.

“Mungesa e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Katër vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rastet e interesit të lartë publik, sikur “VETERANËT”, “PRONTO” dhe “FAJDET” nuk kanë arritur të kthejnë besimin në institucionet e sundimit të ligjit”, ka thënë ai.

Shasha gjatë intervistës ka theksuar Raporti i Vendit 2021 identifikoj sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit. “Në veçanti, vendet anëtare me shqetësim janë duke përcjell gjeturat e Raportit të Vendit, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik”, ka theksuar Shasha.

Si faktor që ka ndikur në heqjen e vizave, por edhe ngecjen e procesit euroatlantik në përgjithësi, Shasha ka përmendur edhe stagnimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengese indirekte pasi qe vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të gjitha proceseve integruese, përfshire edhe liberalizimin e vizave”, shtoi ai.

Shasha ka potencuar po ashrtu se institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në kryerjen e detyrave që janë në përgjegjësinë e tyre. “Rrjedhimisht, konsideroj se për qëllim të krijimit të një mjedisi të favorshëm për liberalizimin e vizave, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë progres të ndjeshëm në sundimin e ligjit dhe dialogun me Serbinë. Pa përmbushjen e këtyre dy parakushteve e shoh të pamundur çfarëdo progresi sa i përket liberalizimit të vizave”, tha tutje ai.

Këshilli Evropian i ka vlerësuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit dhe ato lokale të 17 tetorit si transparente dhe mirë të organizuara.

“Zgjedhjet ishin gjithashtu konkurrues, përveç në zonat serbe të Kosovës. Këshilli pret që mangësitë e përsëritura të procesit zgjedhor të adresohen dhe rekomandimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të zbatohen me një ndjenjë më të madhe urgjence”.

Raporti i KE

Këshilli nënvizon nevojën për angazhim të vazhdueshëm të Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara, si një demonstrim i rëndësishëm i përkushtimit të saj për sundimin e ligjit dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë. / Gazeta Enigma.

Related Articles