Për festat e fundvitit duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Kosovë, kanë fluturuar një mijë e 423 aeroplanë, raporton Gazeta Enigma.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën “Enigma” zëdhënësja e ANP-së, Valentina Gara, ajo bëri të ditur se numri i mërgimtarëve që kanë udhëtuar në vend është 180 mijë.
“Nga data 1 deri 28 dhjetor kanë fluturuar 1 mijë e 423 aeroplanë me 180 mijë pasagjerë”, deklaroi Gara.
Ajo shton se, “deri në fund të 2021 presim të përmbyllim vitin me 2.1 milionë pasagjerë”.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të vijnë të vaksinuar në Kosovë.
“Nëse rastësisht nuk jeni vaksinuar atje, natyrisht se mund ta bëni këtë me rastin e hyrjes në Kosovë. Dhe të gjithë së bashku, të respektojmë në përpikmëri masat anti-COVID”, ka thënë Kurti.
Po ashtu ai është shprehur i lumtur për ardhjen e bashkatdhetarëve në vendin e tyre.
“Të dashur, është kënaqësi e madhe për mua dhe të gjithë ne që banojmë në Kosovë të ju urojmë mirëseardhje në atdheun tuaj, festat e fundvitit janë një periudhë e veçantë për ne, por sidomos për ju që shumicën e vitit gjendeni fizikisht jashtë, por me mendje dhe zemër gjithmonë në Kosovë”.
Kurti shtoi se, “jemi mirënjohës sa s’thuhet për mbështetjen tuaj, të vazhdueshme ndaj vendit tonë”.