Gjithsej 45 reporterë dhe punonjës të medias u vranë duke bërë punën e tyre gjatë vitit të kaluar, numri më i lartë mes tyre në Afganistanin e shkatërruar nga konfliktet, ka bërë të ditur të premten organizata më e madhe në botë e gazetarëve, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ)
Shifra përfaqëson një nga shifrat më të ulëta të vdekjeve në 30 vjet, që kur Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve filloi të botojë për herë të parë raporte vjetore në vitin 1991, për gazetarët e vrarë në incidente që lidhen me punën e tyre. Gjashtëdhjetë e pesë vdekje u regjistruan në vitin 2020.
Por IFJ ka thënë se numrat në 2021 konfirmojnë një prirje që tregon se stafi i medias vritet më shpesh për ekspozimin e korrupsionit, krimit dhe abuzimit të pushtetit në komunitetet, qytetet dhe vendet e tyre.
“Këta 45 kolegë që humbëm nga dhuna këtë vit na kujtojnë sakrificën e tmerrshme që gazetarët anembanë botës vazhdojnë të paguajnë, për shërbimin e interesit publik dhe ne mbetemi në borxh ndaj tyre dhe mijëra të tjerëve që paguan çmimin përfundimtar”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i IFJ-së, Anthony Bellanger.
“I vetmi haraç i përshtatshëm për kauzën për të cilën ata dhanë jetën duhet të ishte ndjekja e pandërprerë për drejtësi”, ka vazhduar ai.
IFJ, e cila përfaqëson rreth 600,000 profesionistë të medias në të gjithë globin, ka thënë se 45 gazetarë dhe punonjës të medias u vranë në 20 vende të botës. Prej tyre, 33 vdiqën në sulme të synuara. Nëntë u vranë në Afganistan, tetë në Meksikë, katër në Indi dhe tre në Pakistanin fqinj.
Organizata tha se 2,721 gazetarë janë vrarë në mbarë botën që nga viti 1991./Gazeta “Enigma”/